Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhunën e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë e quan të papranueshme dhe si të tillë e dënon me forcë, ndërsa tërheq vërejtjen se respektimi i të drejtave të shqiptarëve në këtë vend, nuk është zgjedhje, por obligim i shtetit maqedonas, dhe kjo nuk mund të ndryshojë.
Autoritetet e Maqedonisë duhet t’i pranojnë procedurat parlamentare dhe nuk duhet të nxisin dhunë, e cila në Maqedoni mund të ketë pasoja të pariparueshme. Shqiptarët në Maqedoni janë të barabartë dhe nuk mund të diskriminohen mbi baza etnike, thuhet në një deklaratë për media të premten.
AAK konsideron se zgjedhja e Talat Xhaferit, për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë është legale dhe legjitime, dhe si e tillë nuk mund të kontestohet, e aq më pak të shërbejë si shkas për përplasje etnike apo politike.
Po ashtu, AAK fton autoritetet politike të shtetit fqinjë që të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe inkurajon BE-në dhe SHBA-në që të marrin një rol më aktiv në kapërcimin e krizës politike në Maqedoni.