Nën organizimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Gjilanit, sot është mbajtur takim i përbashkët me bizneset në regjionin e Gjilanit, të cilat kanë bashkëpunuar me ministrinë në krijimin e vendeve të reja të punës, për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve.
Në një njoftim për media thuhet se në këtë takim i pranishëm ishte ministri Arban Abrashi, zvministrja Rita Hajzeraj, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.
Ministri Abrashi ka thënë se Kosova duhet të ketë orientim të veçantë drejt sektorit privat, i cili është çelës i zhvillimit ekonomik.
“Me këtë rast u konstatua se, për të nxitur zhvillimin ekonomik, janë më se të nevojshme reformat arsimore në përgatitjet e kuadrit profesional, duke motivuar nxënësit që të regjistrohen në drejtime, të cilat gjithnjë janë të hapura për punësim në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Abrashi tha se me subvencionimin e pagave është arritur që në kuadër të programit për punësim, te ketë numër më të vogël të papunësuarve.
Ai theksoi që shumë shpejt do të fillohet me fazën tjetër dhe me programin tjetër, atë të mbështetjes së punës praktike në sektorin privat, e cila është një mundësi e mirë për punësim dhe krijim të kushteve më të mira.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri tha se 90 për qind të rasteve që kërkojnë takim me kryetarin, kërkesën e vetme kanë punësimin.
Sipas tij, shtimi i vendeve të punës mund të bëhet vetëm përmes zhvillimit të qëndrueshëm të bizneseve private. /KosovaPress/