Rreth 70 kompani serbe do t’i ekspozojnë produktet e tyre në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i cili do të hapet sot në Prishtinë. Kjo pjesëmarrje e madhe e tyre i ka irrituar shumë kompani kosovare, që tashmë kanë paralajmëruar se do ta anulojnë pjesëmarrjen aty. Pronarë të bizneseve në vend po thonë se kanë nevojë të marrin pjesë në panaire që organizohen në Kosovë, por barrierë po e shohin dominimin që u është ofruar ekonomistëve serbë shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në një prononcim për “Zërin” nuk ka dashur ta komentojë pjesëmarrjen e kompanive serbe.
Por, ai ka treguar se panairi nuk është mbështetur financiarisht nga ministria që drejton dhe është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
“Panairi ndërkombëtar “Prishtina 2018” organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk është organizator i këtij panairi. MTI-ja nuk e ka mbështetur financiarisht organizimin e këtij panairi. Ne jemi vetëm të ftuar në hapje të këtij panairi. Ne nuk e dimë se cilat kompani do të jenë pjesë e tij. Ne e dimë se panairi është me karakter ndërkombëtar”, ka thënë Hasani për gazetën “Zëri”.
Gërxhaliu: Ankesat vijnë nga pseudopatriotët
Por në anën tjetër, organizatori i panairit “Prishtina 2018”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, po i mohon pretendimet për kufizime dhe limitime në këtë panair. Gërxhaliu ka thënë për gazetën “Zëri” se këto ankesa po vijnë prej pseudopatriotëve kosovarë që paradite bëjnë biznes në Serbi dhe pasdite shesin patriotizëm folklorik në Kosovë.