Aktuale

7 mijë rrënjë kanabis, kapen në parcelat me drogë 2 vlonjatët

Pesë parcela me rreth 7150 rrënjë bimë narkotike Cannabis sattiva u zbuluan dhe asgjësuan nga Policia në disa fshatra të Vlorës ndërsa dy kultivues ranë në pranga.

Caush Hoxha, 55 vjeç, banues në fshatin Llakatund dhe Sulo Haxhiraj, 44 vjeç, banues në fshatin Kërkovë u arrestuan në afërsi të territorit ku u gjetën të kultivuara 7 mijë  bimët narkotike, si autorët e dyshuar kultivues të tyre.

Bimët narkotike ishin të mbjella në të dy anët e përroit pranë fshatit Drithash – Komuna Shushicë, ku lartësia e tyre varionte nga 10 cm deri në 60 cm, të cilave iu bë asgjësimi i tyre me anë të djegies.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Radhimë, pranë vendit të quajtur “Përroi i Katerisë” janë gjetur të mbjella edhe 150 rrënjë bimë narkotike të tjera, të cilat u asgjësuan me djegie.

Në këtë rast policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të tjerë./Express