Ka vijuar edhe sot aksioni i kërkim-shpëtimit të personave të cilët janë ende nën rrënoja. Ndërsa 27 persona kanë vdekur, 45 janë shpëtuar nga rrënojat dhe 650 janë lënduar, tragjedia dhe ankthi vijon tek familjarët e të prekurve.
Një nga familjarët e familjes Cara, e cila jetonte në një nga pallatet e shembura në Thumanë ka kërkuar që të nxirren edhe 4 anëtarët e tjerë të familjes të cilët ndodhen nën rrënoja.
Mes lotësh Sulë Cara tregon se 7 prej anëtarëve të familjes Cara kanë humbur jetën nga tërmeti i tmerrshëm 6.3 ballë që shkundi të gjithë vendin mëngjesin e djeshëm.
“Në katin e parë kam nusen xhaxhait me vajzën e vajzës, ndërsa në katin e dytë, kam djalin e xhaxhit, por nuk e di nëse është Almiri apo Alfi. Ne kemi patur 7 persona të vdekur. Jemi në akth, po torturohem. Albert Cara kryefamiljari është në spital, dhe po kërkon familjen e tij, të cilët kanë humbur jetën të gjithë në rrënoja. Shpresat i kemi në zot, shpreh ngushëllimet për të gjithë”, ka thënë ai.