64 persona të konfirmuar me koronavirus janë deri më tani në Priashtinë. 6 raste u konfirmuan mbrëmjen e së hënës, kur Insitituti Kombëtar i Shëndetit Publik publikoi rezultatet e testimeve për COVID-19. Drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, Bujar Gashi, tha se personat që u konfirmuan me koronavirus, janë raste kontakti të atyre që janë prekur para pak ditësh. Ndërkohë ai ka shtuar se 2 persona do të testohen sot
Dy persona po presin që t’u nënshtrohen testimeve për virusin COVID-19, në Prishtinë.
Drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, Bujar Gashi, tha për Express se rastet që po rezultojnë pozitive në kryeqytet kryesisht janë raste të kontakteve me personat që janë infektuar me koronavirus më herët.
“Personat që u konfirmuan mbrëmë janë raste kontakti, janë kryesisht kontakte të personave që janë konfirmuar në 2-3 ditët e fundit. Sot nuk kemi shumë persona që po presin të testohen, 2 i kemi nga QKMF’ja”, tha Gashi.
Gashi deklaroi se gjendja me furnizime në Qendrat e Mjekësisë Familjare të Prishtinës momentalisht është e mirë.
“Me furnizime qëndrojmë mirë, kemi marrë edhe nga Ministria e Shëndetësisë por jemi furnizuar edhe vetë. Po presim që edhe gjatë ditëve në vazhdim të kemi furnizime të reja”, tha Gashi.
Ai theksoi se prishtinasit po i respektojnë masat e qeverisë për qëndrim në shtëpi, në përjashtim të disa rasteve të vogla.
“Nga daljet në terren kemi parë që qytetarët po i respektojnë masat, kemi numër të vogël të qytetarëve që po dalin, por nuk po hasim në grumbullime të njerëzve”, tha Gashi.
Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 598.
Nga ta, 123 janë shëruar, ndërkaq 13 kanë humbur jetën.
Rasti i fundit i vdekjes nga koronavirusi në Kosovë u shënua mëngjesin e sotëm. Një grua nga Gjakova e cila ishte shtatzënë, humbi betejën me koronavirusin.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.