Mbrëmë janë konfirmuar edhe gjashtë raste të reja me koronavirus në Viti. Të infektuarit janë raste kontakti të 65-vjeçarit nga Ferizaj, që punonte në “Bondsteel”, e që ka ndërruar jetë javën e kaluar. Sot pritet të bëhet testimi i 11 personave nga kjo komunë të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, raporton Express.
Detaje rreth gjendjes në Viti ka dhënë Kryetari i Komunës, Sokol Haliti. Në një prononcim për Gazetën Express, Haliti ka thënë se të infektuarit janë anëtarë të një familje.
Ai ka treguar se sot pritet që të dalin rezultatet edhe për 11 persona të tjerë nga kjo komunë, të cilët kanë pasur kontakt me personat të cilët kanë rezultuar pozitiv për COVID-19.
“Sot me sa kam informata janë dërgu për testim 11 mostra dhe rezultatet pritet me dal në mbrëmje dikur. Rastet e konfirmuara mbrëmë në Viti janë raste kontakti me atë personin nga fshati Sazli i Ferizajt që ka punu në “Bondsteel”. Të infektuarit janë edhe të moshave të reja. Mbrëmë kanë rezultuar pozitiv prindërit dhe fëmijët, dmth komplet familja”, ka thënë Haliti.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 79 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin shkon në 362.
“Sot më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste”, ka njoftuar Instituti.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Ferizaj, Prizreni, Hani i Elezit, Vitia, Gjilani, Malisheva, Vushtrria, Skënderaj, Rahoveci, Fushë Kosova, Istogu, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Kamenica.
IKSHP’ja ka bërë me dije se data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.