Ekonomi

39 të papunësuar themelojnë bizneset e tyre të reja

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, kanë ndarë të premten 39 grante përfituesve të programit të vetë-punësimit për rajonin e Mitrovicës.

Grantet i takojnë ciklit të dytë të Programit për Vetëpunësim (PVP), me ç’rast 39 të papunësuar do të financohen me 3 mijë deri në 5 mijë euro për të themeluar bizneset e tyre të reja.

Ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, ka falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes institucioneve, në këtë rast të UNDP-së dhe qeverisë së Finlandës, për krijimin e kushteve për mirëqenie më të mirë të qytetarëve.

“Së bashku kemi bërë që të ndryshojmë jetën e shumë qytetarëve të Kosovës me mundësi të ndryshme për punësim, vetëpunësim, përkrahje biznesi apo zgjerim të biznesit. Prandaj, kjo çka po ndodhë sot është si një përpjekje e përbashkët e synimeve tona si Ministri, fondeve tona publike, por gjithashtu edhe fondeve të qeverisë së Finlandës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme finlandeze, prandaj i falënderoj që po na përcjellin një kohë të gjatë në misionin tonë fisnik që është krijimi i vendeve të reja të punës”, ka thënë Abrashi.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, tha se institucionet nuk do të ndalen me kaq, duke bërë përpjekje që të gjejnë donatorë edhe në të ardhmen, në mënyrë që t’u ndihmohet bizneseve.

“Unë mendoj se kjo do të jetë vetëm një nismë, sepse shpresoj se do të gjejmë edhe donatorë të tjerë për t’ju ndihmuar, ngase bizneset janë ato për të cilat vërtetë Kosova ka nevojë në përgjithësi dhe Mitrovica në veçanti”, theksoi Bahtiri.

Sekretari në Ambasadën e Finlandës në Kosovë, Lari Peltonen, u shpreh i lumtur që ndodhet sot në mesin e atyre që kanë përfituar nga këto grante, për të cilët tha se u është dhënë mundësia për një të ardhme më të mirë.

“Ne do t’i ndihmojmë Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile në Kosovë, sepse fatmirësisht kem i shumë njerëz të mirë të cilët janë mendjehapur, që t’u jepet mundësia për një të ardhme më të mirë. Jemi mbledhur sot këtu që të prezantojmë një shembull, në mesin e shumë shembujve tjerë, për ta përmirësuar shkallën e papunësisë dhe ta rrisim ekonominë”, ka thënë mes tjerash Peltonen.

Në anën tjetër, 19 vjeçarja nga Mitrovica Kaltrina Ahmeti, njëra nga përfitueset e Programit të Vetëpunësimit 2016, tha se dëshira e saj gjithmonë ka qenë zgjerimi i biznesit të saj, përkatësisht prodhimi i dorëzave.

“Ideja ime për biznes ka të bëjë me prodhimin e dorëzave, qysh në moshë të re e kam marrë këtë zanat nga mami, tani kam konsideruar se duhet të zgjerohem me biznes prandaj kam aplikuar, mendoj se me shumë punë dhe përkushtim do t’ia arrijë që të hapi shumë pika të shitjeve”, tha ajo. /KosovaPress/