Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se 34 persona nga kjo komunë të testuar për koronavirus kanë dalë negativë. Në mesin e të testuarve ishin edhe 12 punëtorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë kujdesi duhet të vazhdoj njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin.
“12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”, ka shkruar Kastrati.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus, dukë bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 135. Që nga 8 shkurti, në laboratorin e IKSHP’së, janë testuar 1 mijë e 743 mostra të dyshimta për COVID-19.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti ka njoftuar se mbrëmë janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Infektivë dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, tri prej të cilave kanë rezultuar pozitive.
Rastet janë raste kontakti dhe të infektuarit janë nga Mitrovica e Veriut.
“Sot më 04.04.2020 (01:30 pas mesnate), në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR (testimi 2), janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.