Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me rekomandimin e Qendrës së Numërimit të Votave, mori vendim që të bëhet rinumërimi i tërësishëm i 3 kutive për kryetar komune dhe 21 kutive për kuvende komunale.
Ndërkaq u vendos që 111 kuti të fletëvotimeve me kusht të procedohen si të rregullta, përderisa 27 zarfe të fletëvotimeve me kusht që kanë mospërputhje në mes të nënshkrimeve dhe fletëvotimeve në kuti të refuzohen dhe të anulohen si të tilla.
Burim Ahmetaj, tha se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar me proceset dhe aktivitetet në bazë të procedurave të brendshme të saj dhe se janë në procesin e futjes së të dhënave nga formularët e rezultateve dhe skanimit të listave të votuesve.
Sipas raporti të orës 8 të mëngjesit, të ditës së sotme, Ahmetaj tha se janë proceduar rreth 95 përqind të formularëve të rezultateve për kryetar komune dhe 41.40 përqind për kuvendet komunale, përderisa theksoi se për shkak të disa gabimeve të evidentuara, janë 24 kuti të fletëvotimeve që duhet të shkojnë në rinumërim.
“Formularët e rezultateve për kryetar komune janë proceduar 95.37 përqind prej tyre, për kuvend komunal 41.40 përqind… 24 raste të tjera i rekomandohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shkojnë në rinumërim. Prej tyre, 4 vendvotime janë për kryetar komune dhe 21 vendovotime janë për kuvendin komunal. Për arsye pse nuk kanë mundur të procedohen të rregullta dhe nuk i rekomandohet KQZ-së të procedohen të rregullta, janë mospërputhja. Pra ka raste të mospërputhjes të të dhënave brenda formularëve të rezultateve. Arsye tjetër është se në disa raste mungojnë nënshkrimet e kryesuesve të vendvotimeve, kemi formularë të rezultateve të paplotësuara. Kemi raste tjera kur mungojnë formularët e përputhjes së rezultateve si dhe raste kur shiritat e kutisë së votimit janë të ndryshme”, tha ai.
Edhe sa i përket fletëvotimeve me kusht, Ahmetaj tha se ka pasur mospërputhje të zarfeve në kuti dhe nënshkrimeve. Sipas tij, edhe kjo kategori do të duhej të numërohej.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se kur është fjala tek votimet me kusht do të ishte e mirëseardhur një analizë e gjerë, pasi që sipas tij ka komuna me numër më të vogël të banorëve e që ka numër më të madh të fletëvotimeve me kusht sesa në komunat me numër më të madh banorësh.
Nga të dhënat e rezultateve preliminare, sipas tij, vërehet edhe mospërputhje e fletëvotimeve të vlefshme në kuti dhe numrit të tërësishëm të gjithë kandidatëve në atë komunë, gjë që sipas tij do të duhej të ishte në përputhje.
“Nga raporti që kemi marrë ka një lloj shpërputhje të numrit të atyre që kanë votuar me kusht në bazë të komunave. Ka komuna me mbi 100 mijë banorë e që kanë votuar 300-400 persona me kusht. Ndërsa ka komuna që i kanë 40 mijë votues e kanë votuar rreth 1 mijë votues me kusht. Do mendoj se duhet me e pa nga ka ardhur kjo. Në të njëjtën kohë konsideroj se është i nevojshëm një informacion qoftë edhe fillesar për numrin e fletëvotimeve të pavlefshme për kuvendet komunale”, theksoi ai.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka sqaruar se divizioni përkatës për votuesit jashtë vendit ka dërguar 10 mijë e 749 pako me fletëvotime përmes postës dhe ka bërë njoftimin me e-mail të atyre që janë aprovuar suksesshëm gjatë periudhës për aplikim, ku 6 mijë e 735 janë aprovuar ndërsa 886 janë refuzuar.
“Numri i pakove që janë aprovuar është 6 mijë e 735, ndërkaq të refuzuara janë 886. Arsyet e refuzimit mund të grumbullohen në këto: 158 të refuzuara janë për shkak se personat që kanë aplikuar nuk kanë aplikuar gjatë kësaj periudhe të aplikimit për regjistrim, 12 raste janë kur aplikues të refuzuar gjatë periudhës të periudhës për regjistrim, 329 raste janë kur aplikuesit kanë dërguar pako më shumë se njëherë, 305 raste janë persona që nuk janë identifikuar, pra në pakot e tyre ka pasur veç fletëvotime, 82 raste persona që nuk kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit”, shpjegoi ai.
Me rekomandimin e drejtoreshës për Regjistrimin e partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi është aprovuar ndërrimi i ID-ve të vëzhguesve të raundit të parë të zgjedhjeve në mënyrë që të mos ketë keqpërdorime të mundshme pasi që nuk shkojnë të gjitha komunat në balotazh, ku bexhat e parë do të jenë valid vetëm deri në ditën e zgjedhjeve, më 19 nëntor.
Me këtë rast kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka sqaroi se akreditimet e lëshuara më parë për media dhe vëzhgues ndërkombëtar do të jenë të vlefshëm deri në përfundim të procesit zgjedhor./kp