Rajon & Botë

22 të arrestuar në Stamboll e Izmir, të dyshuar për lidhje me ISIS-in

Plot 22 persona të akuzuar për lidhje me grupin militant Shteti Islamik (ISIS) janë arrestuar në Stamboll dhe në provincën perëndimore të Izmirit më 30 qershor, teksa policia turke ka nisur një operacion të gjerë kundër xhihadistëve pas sulmeve vetëvrasëse në aeroportin ‘Ataturk’ të Stambollit, që i morën jetën 44 personave, dhe lanë të plagosur 239 të tjerë.

Hurriyet raporton se gjithsej 13 njerëz, katër prej të cilëve janë të huaj, janë arrestuar në Stamboll, teksa policia ka nisur një operacion që në agim në 16 adresa në disa distrikte, përfshirë Pendikun, Bashakshehirin dhe Sulltanbejlin, transmeton Gazeta Express.

Në Izmir, policia në të njëjtën kohë ka bastisur disa lokacione në distriktet Konak, Buca, Karabagllar dhe Bornova herët në mëngjes, duke arrestuar nëntë persona të dyshuar se janë pjesëtarë të ISIS’it.

Gjatë operacionit të kryer nga rreth 200 oficerë policorë janë konfiskuar një mori dokumentesh organizatiuve, tri pushkë dhe të dhëna digjitale.

Policia ka thënë se të arrestuarit kanë qenë në kontakt me pjesëtarë të ISIS’it në Siri, dhe kanë vepruar në Izmir në emër të grupit, duke ofruar mbështetje financiare, rekrutë dhe mbështetje logjistike.