Në dy çerdhe publike në Pejë janë infektuar me koronavirus 19 punonjës. E testit i janë nënshtruar edhe 10 punonjës tjerë, rezultatet e të cilave pritet që të dalin së shpejti. Detaje për këtë rast ka dhënë të mërkurën për Express, drejtori i shëndetësisë në komunën e Pejës, Petrit Loci. Puna në çerdhet publike në Pejë nuk dihet se kur do të fillojë.
“Janë marrë edhe 10 mostra të reja. Bëhet fjalë për dy çerdhet publike. Ne testimin e këtyre punonjësve e kemi bërë në kuadër të përgatitjeve për hapjen e tyre. Në testime, pastaj në rezultate dolën mbi 70 për qind e stafit pozitiv”, ka deklaruar Loci.
E këto çerdhe do të jenë të mbyllura edhe për një kohë në komunën e Pjeës.
Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj ka konfirmuar se në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor janë testuar punëtoret në një çerdhe.
“Për fat të keq 19 punëtorë të çerdheve kanë dalë të infektuara, ndërsa 25 tjera janë në pritje të rezultateve”, ka deklaruar Avdimetaj.
Ai tha se të infektuarit nuk janë vetëm edukatore, por përfshijnë edhe kuzhinieret dhe stafin tjetër mbështetës. Ai thotë se çerdhet kanë qenë të mbyllura prej një muaji e gjysmë kur edhe është ndërprerë mësimi në gjithë Kosovën.
“Nuk do të lejojmë të rrezikohen fëmijët e as prindërit”.