Grupi i 155 gazetarëve, një rrjet joformal i gazetarëve nga shtete të dala nga ish-Jugosllavia – Sllovenia, Serbia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Bosnja e Hercegovina, kanë dënuar frikësimin dhe kërcënimet drejtuar gazetarëve Dragan Janjiq dhe Una Hajdari nëpër tabloidet dhe rrjetet sociale të Serbisë, bëjnë të ditur mediet e rajonit.
Kryeredaktorin e agjencisë së lajmeve Beta, Dragan Janjiqin, fillimisht e zuri në gojë publikisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media, për shkak se ai kishte shkruar se vrasja e Oliver Ivanoviqit ishte e motivuar politikisht.
Pas kësaj në rrjetet sociale të Serbisë ai ishte akuzuar se urren çdo gjë serbe, ndërsa opinionit përmes një shpalljeje në faqen e sponsorizuar në Facebook “Serbia vendi YNË” ishte publikuar edhe adresa e tij e shtëpisë.
Nga Kosova, Una Hajdari, e cila për organizatën ndërkombëtare të gazetarëve Reporterë pa kufij, kishte mbikëqyrur gjendjen e lirisë së medieve në Ballkanin Perëndimor, pas publikimit të një postimi komik, me të cilin komentonte konferencën për shtyp të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e vizitës në Kosovë, ishte sulmuar nga tabloidi proregjim “Informer” dhe në disa sajte ultra të djathta.
I është publikuar fotografia dhe është quajtur urrejtëse e çdo gjëje serbe dhe e Vuçiqit, ndërsa më vonë kishte marrë shumë kërcënime, transmeton Koha.net.
Sjellja e tillë ndaj kolegëve tanë është absolutisht e papranueshme dhe përbën kërcënim serioz të lirisë së shprehjes, theksohet në komunikatën e rrjetit të gazetarëve.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është shprehur shqetësimi për shkak të raporteve mbi sulmet dhe frikësimet që u bëhen gazetarëve në këtë vend.