Me qëllim që t’i kthejnë autoritetin profesionit të farmacistëve të Kosovës, Oda e Farmacistëve të Kosovës ka ndarë 151 licenca për farmacistët e vendit.
Kryetari i OFK-së, Zehadin Gashi tha se hapi i parë i tyre është krijimi i kushteve juridiko profesionale përmes licencimit të farmacistëve.
Ai tha se me anë të dhënies së licencës së punës janë hapur dyert që t’i drejtohen institucioneve të vendit për problemet që e përcjellin sektorin farmaceutik.
“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi potencuar se ne si farmacistë hapi i parë në punën tonë profesionale dhe rregullimin e një situate jo të mirë në sektorin farmaceutik ka qenë që ne të krijojmë kushtet juridiko- profesionale dhe fatmirësisht sot po e dëshmojmë këtë dhe nga gjithë ai vullnet dhe sakrificë që bëmë e realizuam këtë objektiv dhe pas kësaj objektive vërtetë na presin punë shumë të vështira, sepse deshëm apo nuk deshëm me pranuar profesioni i farmacisti ka qenë një profesion i nënçmuar, i keqpërdorur dhe me një pamje jo të mirë të ushtrimit të profesionit…Nga sot kemi hapur dyert që t’i drejtohemi institucioneve të Kosovës me të gjitha problemet që përcjellim sektorin farmaceutik”, tha ai.
Sipas Gashit, sektori farmaceutik përballet me problemet duke filluar nga nivelimi i çmimit të barnave, kritereve të hapjes së barnatoreve dhe sipas tij do t’i drejtohen institucioneve vendore për ndryshime të ligjeve dhe të akteve ligjore që sot e pengojnë ushtrimin e profesionit të farmacistit.
Ndërsa, kryeshefi i Agjencionit për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Jeton Shala tha qëllimi i dhënies së licencave është t’i kthehet autoriteti dhe etika profesionale e farmacistëve.
Gashi bëri të ditur se sot ky Agjencion ka shpërndarë edhe regjistrin e barnave falas për të gjithë farmacistët e vendit.
“Kam nderin këtu që të shpërndajmë regjistrin e barnave tek secili farmacist në Republikën e Kosovës dhe është i ndarë për të gjithë farmacistët tanë gratis…Motivi është kthimi i autoritetit të farmacistit, është etika profesionale, është po ashtu e rëndësisë së veçantë të shpreh faktin se jemi në fazën përfundimtare të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve që ndërlidhin etikën në profesionin tonë, farmacistin”, tha Shala.
Sipas tij kjo marrëveshje ka për qëllim njohjen e licencave të punës që lëshohen nga OFK-ja, raportimi i OFK në Agjencinë e Barnave në rast të anulimit të licencës së punës.
Kimete Shurdhani-Kadriu, kryetare e Komisionit për Licencim tha se sot pas 17 viteve për herë të parë po i ndajnë 151 licenca të punës për farmacistët të cilët kanë aplikuar deri më 1 tetor 2017.
Sipas saj Komisioni ka shqyrtuar deri më tani gjithsej 704 lëndë për anëtarësim dhe 368 lëndë për rilicencim.
“Ky licencim bëhet për herë të parë pas 17 vitesh dhe bëhet fal punës së palodhshme të OFK-së gjegjësisht komisionit për licencim të farmacistëve. Komisioni filloi punën që nga maji i këtij viti dhe deri më tani ka bërë shqyrtimin e shumë lëndëve rreth 704 lëndë np anëtarësim dhe 268 lëndë në rilicencim. Sot bëhet shpërndarja e 151 licencave të para për ata farmacistë të cilët kanë aplikuar deri më datën 1 tetor 2017”, tha ajo.
Kadriu po ashtu bëri të ditur se deri më 1 janar 2018 të gjithë farmacistët e Kosovës do të jenë të pajisur me licenca të punës.
Ndryshe, Oda e Farmacistëve të Kosovës për herë të parë është hapur në vitin 2014, dhe qëllimi i saj është që t’i trajtojnë problemet që i kanë farmacistët e Kosovës./kp