Mbi 152 mijë vetë kanë firmosur një peticion të stafit të BE-së kundër ish-presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Dokumenti i është dorëzuar tre institucioneve kryesore të bllokut.
Aty kërkohet që Barroso të mos përfitojë më pensionin e BE-së për shkak të punësimit të tij tek banka “Goldman Sachs”.
Firmëtarët e peticionit e konsiderojnë si “moralisht të dënueshëm” afrimin e tij me Bankën Amerikane të Investimeve, ndërkohë që vazhdon të përfitojë nga të ardhurat e ofruara prej Bashkimit Europian.
Të irrituar, ata e cilësojnë lëvizjen e Barroso një “dhuratë” që u bëhet euro-skeptikëve. Nisma e peticionit u ndërmor në korrik, por që prej atëherë interesi për të u rrit duke shkuar përtej punonjësve të BE-së.
Pasardhësi i tij, Jean Claude Juncker kërkoi një hetim për shkelje të kodit të sjelljes, i cili parashikon që ish-komisionerët të veprojnë me integritet dhe shumë pjekuri pas largimit nga detyra.