Aktuale

12 persona dënohen me rreth tetë vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj 12 personave, pasi që gjykata paraprakisht ka gjetur se këta të akuzuar si persona zyrtar dhe student senator të UP-së, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar në mënyra të ndryshme me qëllim të përfitimit material.

Me këtë rast është shpallur aktgjykimi për E.B, R.Z, K.G, A.J, L.B, K.M, M.B, G.M, A.H, M.M, A.H, SH.R, A.O.

I akuzuari E.B është dënuar me 2 vite e tetë muaj dhe dënim me gjobë prej 10.000 euro, për tri vepra penale marrje e ryshfetit, dy vepra penale ushtrimi i ndikimit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për dy vepra penale ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje.

I akuzuari R.Z, i cili akuzohej për dy vepra penale ndihmë në ushtrimin e ndikimit, është refuzuar aktakuza për shkak të parashkrimit absolut.

K.G është dënuar me shtatë muaj burg dhe dënim me gjobë prej 1.500 euro, për dy vepra penale ushtrimi i ndikimit. Ndërsa, A.J është shpallur fajtor dhe është dënuar me 8 muaj burg për veprën penale ushtrimi i ndikimit.

I akuzuari L.B është dënuar me 8 muaj burg për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale dhe marrja e ryshfetit në bashkëkryerje, derisa K.M është dënuar me 7 muaj burg për shkak të veprës penale ndihmë nga neni 25 lidhur me veprën penale, ushtrimi i ndikimit.

M.B është dënuar me tetë muaj burg për veprën penale ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje, ndërsa G.M dënohet me 8 muaj burg dhe dënim me gjobë prej 5.000 euro për dy vepra penale ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje dhe ushtrimi i ndikimit nga neni 345 par.1 të KPK-së.

I akuzuari A.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me 7 muaj burg dhe është gjobitur me 4.000 euro, për tri vepra penale ndihmë në veprën penale ushtrimi i ndikimit nga neni 345 ar.1 lidhur me nenin 25 të KPK-së.

M.M është dënuar me 8 muaj burg për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, ndërsa A.H është dënuar me 8 muaj burg për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit.

I akuzuari SH.R është dënuar me tre muaj burg me mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim, me dënim me gjobë me pëlqimin e të akuzuarit për veprën penale dhënia e ryshfetit.

E akuzuara A.O është dënuar me tre muaj burg me mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim, me dënim me gjobë me pëlqimin e të akuzuarit për veprën penale dhënia e ryshfetit.

Ndryshe, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën së Apelit të Kosovës.