Raportohet se 11 persona kanë vdekur për shkak të vërshimeve që prekën disa rajone, përfshirë edhe pikën më të famshme turistike të Petras. Vdekjet erdhën pas shiut të vazhdueshëm, me ç’rast autoritetet u detyruan që t’i evakuojnë më shumë se 3,700 turistë nga qyteti antik i Petras.
Në anën tjetër, po vazhdojnë kërkimet për disa persona të zhdukur. Zëdhënësja e qeverisë, Jumana Ghuneimat dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes deklaruan se numri i vdekjeve të raportuara u rrit, pasi një trup tjetër i pajetë u gjet në jug të Amanit, kryeqytetin e Jordanisë.
Qindra vizitorë të Petras vraponin drejt zonave me lartësi më të madhe mbidetare në kohën kur uji po depërtonte përmes një kanioni në pjesën kryesore të Petras. Vizitorët më pas u dërguan në zona më të sigurta, para se vërshimet ta përfshinin qytetin e famshëm malor. Autoritetet shpallën gjendjen e emergjencës në qytetin bregdetar të Detit të Kuq, Aqaba. Përveç kësaj, një autostradë që lidh kryeqytetin me pjesën jugore të vendit u mbyll. Qeveria njoftoi se universitetet dhe shkollat do të mbyllen, ndërsa xhamitë u hapën për të shërbyer si vendstrehime për civilët e goditur nga vërshimet.
Para dy javësh, 21 persona, shumica e të cilëve ishin fëmijë, ndërruan jetë pasi u rrëmbyen nga vërshimet gjatë një udhëtimi të organizuar nga shkolla. Ky rast ishte ndër raste më të rënda si rrjedhojë e katastrofës natyrore në dekadat e fundit. Politikanët kanë kritikuar shërbimet e emergjencës për mungesë të përgatitjeve dhe gjendjes së gatishmërisë, me ç’rast dy ministra u detyruan të japin dorëheqje, pasi një komision parlamentar zbuloi se kishte neglizhencë në reagimin e tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.