Aktuale

​Zharku e Bahtiri inspektojnë punimet në Mitrovicë

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, ka qëndruar të shtunën në Mitrovicë, me ç’rast ka inspektuar projektet që janë duke u realizuar në disa lokacione të kësaj komune, të financuara nga kjo Ministri.

Ai së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë vizituar për së afërmi punimet në përgatitjen për asfaltim të rrugës Melenicë – Zabërgjë, si dhe rrugës që lidh fshatin Koshtovë me rrugën Nacionale N-2.

Ministri Zharku tha se ministria të cilën ai e udhëheqë është e interesuar ta përkrahë komunën e Mitrovicës në realizimin e projekteve të ndryshme.

Sipas tij, Mitrovica është ndër qytetet me nevoja më të mëdha sa i përket inrfrastrukturës rrugore.

 

“Po e shihni se punimet po vazhdojnë. Është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej mbi 200 mijë euro. Përveç kësaj, ne kemi filluar edhe me një projekt tjetër jashtëzakonisht të madh për komunën e Mitrovicës, është rruga Melenicë-Zabërgjë në shumë prej 700 mijë eurosh. Paralelisht me këtë, ne me rishikimin buxhetor kemi edhe dy rrugë të reja që janë përfshirë. Është rruga Bare-Gumnishtë, si dhe Kçiçi i vogël. Gjatë vitit, në maj ose qershor, ju e dini që së bashku me kryetarin kemi nënshkruar edhe memorandum tjetër mirëkuptimi për financimin e tre rrugëve tjera, është rruga Rifat Dedia, shtrimi i trotuareve në komunën e Mitrovicës dhe asfaltimi i rrugëve në fshatin Vërnicë, të gjitha këto investime në shumë prej afër 2 milionë euro të cilat po kryhen sivjet. Shpresoj se do të kurorëzohen me sukses, një pjesë e tyre gjatë këtij viti, ndërsa një pjesë e tyre gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë Zharku.

Kryetari i Mitrovicës, AgimBahtiri, ka falënderuar ministrin Zharku për mbështetjen e vazhdueshme sa i përket projekteve infrastrukturore.

 

“Mitrovica ka shumë probleme, në infrastrukturë ka jashtëzakonisht probleme të mëdha në të cilat është investuar vitet e kaluara. Vitet prej që kemi ardhur ne kemi bërë shumë ndryshime pozitive…Unë jam tepër i lumtur me ministrin i cili na ka dal në ndihmë çdoherë”, theksoi Bahtiri.

Në anën tjetër, Rrahmon  Grepi, përfaqësues i fshatit Kosohtovë, tha se ky projekt ka qenë nevojë e madhe dhe është pritur për shumë vite nga banorët e këtushëm.

 

“Është projekt që ka qenë nevojë dhe është pritur për shumë vite, por fati ka dashur që tash të kryhet… Falënderojmë ministrin Zharku që po na mbështetë në këtë projekt, banorët janë shumë të kënaqur dhe shpresojmë se do të vazhdohet edhe me projekte tjera në fshatin Koshtovë”, tha ai.

Edhe banorët e fshatrave tjera u shprehën të lumtur për punën e cila po bëhet në këto zona, ndërsa ata të  fshatit Zabërgjë kanë shtruar edhe drekë për mysafirët.

Ndryshe, asfaltimi i rrugës Melenicë – Zabërgjë, që ka një gjatësi prej 6.6 kilometrash, kap vlerën prej më shumë se 700 mijë euro, ndërsa  rruga që lidh fshatin Koshtovë me rrugën Nacionale N-2, me gjatësi prej 1.7 kilometrash do të kushtojë rreth 211 mijë euro.