Aktuale

​Ymeri e Bahtiri paralajmërojnë protestë nëse nuk hapet ura e Ibrit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur sot në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Imerin, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale politike e të sigurisë në Mitrovicë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se në takim është folur për domosdoshmërinë e lirimit për lëvizje e qarkullim të lirë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe për respektimin e kufijve administrativ midis dy komunave të Mitrovicës, ashtu sikur janë përcaktuar dhe aprovuar nga të gjitha palët, në bazë të pakos së presidentit Marti Ahtisari.

Në këtë takim, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se kjo vizitë ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, për lirimin sa më të shpejtë për lëvizje e qarkullim të lirë të urës dhe vendosmërinë e tij për të mos lejuar ndryshimin e kufijve administrativ ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, gjë të cilën po e kërkon pala serbe.

Sipas tij, Institucionet e Republikës së Kosovës disi i kanë neglizhuar aktivitetet në këtë drejtim, edhe pse këto janë çështje tejet të rëndësishme për tërë vendin, e jo vetëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

“Bashkëbiseduesit bënë të ditur se janë dakorduar për vazhdimin e aktiviteteve edhe më intensive për zgjidhjen definitive të këtyre çështjeve, duke lënë të hapur mundësinë, që nëse institucionet më të larta të vendit dhe ato ndërkombëtare nuk ndërmarrin asgjë në këtë drejtim, atëherë të iniciohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për të diskutuar dhe marrë masa adekuate lidhur me këto çështje, si dhe mundësinë e organizimit të një proteste gjithë popullore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim./KosovaPress/