Aktuale

​Yagcilar merr mbështetje nga GIZ-i edhe për dy vitet e ardhshme

Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka mbajtur një takim me përfaqësues të misionit për evoluimin e projektit të Reformës së Administratë Publike nga GIZ-i, të kryesuar nga Malte Kirchner.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se Yagcilar në këtë takim foli edhe për rëndësinë e reformave në tërësi, duke shpalosur objektivat dhe aktivitet kyçe lidhur me proceset reformuese, që janë dhe pritet të bëhen në administratën publike, të cilat mund të jenë edhe çështje me përparësi edhe në projektin e ri.

Udhëheqësi i projektit Malte Kirchner bëri me dije se MAP-i do të jetë objekt i përkrahjes edhe në dy vitet e ardhshme, nëpërmjet projektit që synohet të hartohet nga GIZ-i.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministri Hajredin Hyseni, Lothar Jahn, Tillmann Schneider dhe Silvia Kienecker./KosovaPress/