Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 1 milion e 600 mijë euro për pagat e veteranëve për muajin shtator.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se për ta kryer pagesën e pensioneve për muajin shtator, nevojiten mjete shtesë prej 1.6 milion euro nga rezervat shtetërore. Ndërsa Abrashi tha se për tre muaj të tjerë, po përpiqen të gjejnë zgjidhje afatgjate.
“Për të kryer pagesën e pensioneve për muajin shtator për 28 mijë e 268 veteranë, nevojiten mjetet shtesë në shumë prej 1 milion e 685 mijë euro. Prandaj me qëllim të ekzekutimit të pagesave të pensioneve për veteranë për muajin shtator, kërkojmë që të aprovohet vendimi për ndarjen e mjeteve në shumë prej 1.6 milion euro nga rezervat shtetërore dhe të alokohen në MPMS-së. Kjo ka të bëjë vetëm për ndarjen e mjeteve për muajin shtator. Kurse për mjetet për tre mujorin e fundit të këtij viti jemi në kontakt për të gjetur një zgjidhje afatgjate”, tha ministri Abrashi.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, tha se ata kanë siguruar mjetet për pagat e shtatorit, por duhet të krijohen kushte që në të ardhmen këto mjete t’i marrin ata që i meritojnë, veteranët e vërtetë.
“Kemi marrë zotimin në bisedë me përfaqësuesit e FMN-së që ne të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e përballueshme për ne, por dhe e pajtueshme me FMN-në në të ardhmen, në mënyrë që të kapërcejmë këtë problem i cili mund të na qet prej programit të FMN-së dhe të rrezikon të gjitha projektet tjera të cilat ne i kemi fituar në bazë të këtij programi… Ne do të provojmë që të shihen se si të racionalizohen listat dhe cilët të jenë përfitues, sepse ne jemi deklaruar dhe në Qeveri, dhe unë personalisht, se asnjëri prej tyre që janë meritor si veteranë nuk do ta dëmtojmë në këtë rast. Por duhet të krijojmë kushte që këto mjete t’i marrin ata që meritojnë , veteranët e vërtetë të luftës”, tha kryeministri Mustafa. /KP