Aktuale

​Vazhdojnë investimet në projektet e reja infrastrukturore në Rahovec (Foto)

Komuna e Rahovecit po vazhdon me realizimin e projekteve si në qytetin e Rahovecit, po ashtu, edhe nëpër fshatra, projekte këto që prekin direkt përmirësimin e lëvizjes së banorëve të cilët deri më tani kanë pasur vështirësi në lëvizjen e tyre.

Kështu thuhet në një komunikatë për media të Komunës së Rahovecit, ku theksohet se realizimin e këtyre projekteve nga afër i ka parë Muhamet Behra, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, i cili thotë se është duke u punuar në disa projekte siç janë: kubëzimi i një rruge në fshatin Polluzhë, asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ratkoc me fshatin Baboc me gjatësi prej 2 mijë e 300 metra.

“Momentalisht është duke u punuar në rregullimin e dy urave dhe riparimi i rrugëve me kubëza, nivelizimin e pusetave të ndërtuara në qytetin e Rahovecit gjatë vitit 2013-të. Tek projekti i fundit, intervenimi ka ardhur pas kërkesave të banorëve, të cilët kanë pasur probleme me puseta, pasi që gjatë vitit 2013, ku është kubzuar ajo rrugë pusetat janë mbuluar tërësisht dhe në vazhdimësi ka pasur probleme”, thuhet në komunikatë.

Drejtori Behra thotë se projekte të tjera të cilët janë duke vazhduar është edhe trotuari në rrugën e UÇK-së me gjatësi prej 1 mijë e 600 metrave, projekt ky i cili është në fazën finale të realizimit./KosovaPress/