Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar sot se edhe ndërkombëtarët e përkrahin krijimin e ushtrisë, porse dallime ka vetëm rreth metodologjisë së krijimit të saj.
Këto deklarata presidenti Thaçi i bëri gjatë takimit me diplomatë austriakë me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka takuar Drejtorin e Departamentit për Evropë në Qeverinë e Austrisë, Alexander Schallenberg, zyrtarin përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, si dhe tërë ambasadorët austriakë të vendosur në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Me delegacionin austriak, presidenti Thaçi ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
“Progresi në Kosovë është rezultat edhe i mbështetjes dhe përpjekjeve të Austrisë”, ka thënë presidenti Thaçi, njofton zyra për informim e presidentit. Ai me delegacionin austriak ka folur edhe për dialogun, duke shprehur bindjen se dialogu nuk ka alternativë. “Kosova ka raporte të mira me të gjithë fqinjët e saj”, ka shtuar presidenti Thaçi. Në anën tjetër, drejtori për Evropë i Qeverisë së Austrisë, Alexander Schallenberg, u shpreh se “për Austrinë është i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëpunimi i shteteve të rajonit me njëri-tjetrin”./KosovaPress/