Aktuale

​Si të aplikoni për leje për shtesa dhe ndërtime deri në 250 m2

Nëse keni parashikuar që të bëni një ndërtim të ri ose një shtesë por, që nuk e kalon sipërfaqen prej 250m2 atëherë do t’ju duhet që të pajisjeni me leje elektronike në sportelin e e-albania me një ndalesë.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit tregon se cilat janë hapat që duhet të ndiqet dhe dokumentacioni që duhet të plotësoni. Duhet të kni parasysh se aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe kjo e fundit do të kryejë vetë (përmes sistemit) të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa. Nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje.

Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen, duhet të përgjigjen brenda 10 ditëve pune. Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë  më tej me shqyrtimin e aplikimit. Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia, brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesit, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.

Dokumentacioni i nevojshëm

Dokumentet që duhet të paraqesë aplikuesi për t’u pajisur me leje ndërtimi pranë njësive të qeverisjes vendore janë:

– Kërkesa për leje ndërtimi, sipas formularit të aplikimit, të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve;

-Dokumente që vërtetojnë të drejtat pasurore të pronës/ave që marrin pjesë.

-Zhvillim, përfshirë marrëveshjet midis pronarëve dhe zhvilluesit ose/dhe palëve të treta;

-Plani i vendosjes së ndërtimit mbi fragmentin e hartës në gjendjen ekzistuese;

-Projekti i ndërtimit dhe relacioni përkatës;

– Grafiku paraprak i punimeve dhe afati i dorëzimit të objekteve, sipas fazave të zbatimit;

– Preventivi;

– Deklarata e projektuesit të licencuar, sipas formatit të aplikimit, të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit, nëpërmjet së cilës konfirmohet përputhshmëria e projektit me lejen e zhvillimit, dokumentet e planifikimit e kontrollit të zhvillimit, në fuqi, dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë, përfshirë dispozitat antisizmike, të sigurisë, mbrojtjes nga zjarri dhe higjieno-sanitare;

– Lejet, licencat, autorizimet apo aktet e miratimit, të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, në zbatim të legjislacionit të posaçëm për lejet, licencat dhe autorizimet, në rastet kur është e nevojshme që ato të paraqiten përpara marrjes së lejes së ndërtimit;

– Mandatpagesa/t e tarifës/tarifave të aplikimit;

– Kopje e policës së sigurimit të projektuesve, për mbulimin e përgjegjësive profesionale.

Agjencia bën të ditur se nuk janë të detyrueshme projektet e instalimeve, si dhe mbikëqyrja dhe kolaudimi i punimeve, me kushtin që zbatuesi të dorëzojë një deklaratë noteriale, me të cilën të konfirmojë, nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale, se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe projektin përkatës.

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit është brenda 45 ditëve nga data e dorëzimit të aplikimit. Afati do t’ju përcaktohet në formularin e lejes së ndërtimit. /monitor/