Rajon & Botë

​SHBA dëbon 35 diplomatë rusë

Presidenti amerikan, Barack Obama urdhëroi dëbimin e 35 diplomatëve rusë si edhe kërkoi vendosjen e sanksioneve kundër shërbimeve sekrete ruse, në atë që e quajti ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Sanksionet kanë në shënjestër nëntë subjekte dhe individë, përfshirë drejtorinë kryesore ruse të shërbimeve sekrete, GRU, dhe shërbimin federal të sigurisë, FSB.

”Ky veprim vjen si pasojë e paralajmërimeve të vazhdueshme private dhe publike në adresë të Rusisë”, deklaroi Obama.

“Të gjithë amerikanët do të duhen të jenë të alarmuar nga veprimet e Rusisë”, theksoi ai duke aluduar edhe për pasardhësin e tij Donald Trump, i cili ka hedhur dyshime mbi përfundimet e shërbimeve sekrete amerikane për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhje, që kishin patur në shënjestër Partinë Demokrate dhe kandidaten e saj presidenciale, Hillary Clinton.