Mbyllja e tregut të mishit të gjedhit është një masë e detyrueshme për të shmangur përhapjen e sëmundjes në të gjithë vendin.
Eksperti i Bashkimit Evropian, Robert J Connor sqaron se mënyra e vetme për të kufizuar përhapjen e kësaj sëmundje është që kafshët të mos lëvizin duke shmangur kështu krijimin e një emergjence.
Sëmundja e gjedhit njihet si sëmundja Dermatoza Nodulare për të cilën ende nuk ka një kurë dhe kjo shkakton ngordhjen e bagëtive ndërkohë që është hapur me shpejtësi në vend.
“Arsyeja e ndalimit të mishit është bërë pasi vetëm kështu kufizohet përhapja. Kjo sëmundje rrezikon të gjithë popullsinë e gjedhit në vend. Ne themi që duhet bllokim total i lëvizjes dhe në të gjitha shtetet e prekura janë marrë masa të tilla. Deri sa gjedhi të përfitoj imunitet pas vaksinimit duhet ndaluar lëvizja e kafshëve pasi kjo është një situatë emergjente”, tha Coonor.
Edhe pse sëmundja nuk ka rrezik të transmetohet nga kafsha e infektuar te njeriu ,qytetarët ndjehen të frikësuar.
Ndërkohë edhe eksperti ngre si shqetësim faktin se në këtë situatë mund të abuzohet dhe mund të shitet mishi i bagëtive të sëmura i cili nuk këshillohet të përdoret për konsum.