Aktuale

​Rama: Po hapen hapësira për punë në bujqësi

Mbas 30 vitesh, 11 mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës dhe Vaut të Dejës në Shkodër, iu rikthehet kullimi. Dhera, ferra dhe inerte e kishin nxjerrë plotësisht jashtë funksionit kanalin kullues në segmentin Gjadër-Mjedë.

Edhe reshje shiu jo të forta mund të përmbytnin tokat bujqësore të fshatrave Zojs, Gramsh, Mabe, Kukel, Barbullush, Bushat, Mjede etj., duke u shkaktuar dëme serioze fermerëve.

Në fshatin Kukel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në këtë segment, i financuar nga programi për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në fshat.

Ai garanton nxjerrjen e mijërave hektarë tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve, si dhe vendosjen e mijëra hektarëve të tjerë nën ujë.

“Impakti që po krijon gjithë ky program i pastrimit të kanaleve është i ndjeshëm. Por kudo është e njëjta histori, që po futen në ujë, po hapen hapësira për punë në bujqësi, me mijëra hektarë vetëm nga uji dhe ndërkohë mbrohen sepse janë të kanalizuar. Por unë jam i bindur që deri për sezonin e ardhshëm, ne do ta mbyllim gjithë këtë skemë e do t’i kemi gjithë parcelat nën ujë. Dhe këtë fazën tjetër të projektit do ta garantojmë patjetër, sepse ky është një aks që nuk është vetëm thjesht puna për të vaditur një pjesë tokash, por dhe për të garantuar përfundimisht që mos ketë përmbytje dhe histori të tilla, që kanë ardhur nga bllokimi i këtij aksi,” – nënvizoi kryeministri Rama.

Kurse, kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hilaj është shprehur i bindur se janë zgjidhur problemet përfundimtare të 11 000 hektarëve tokë bujqësore, sa i përket problemit të kullimit, por sipas tij, ajo që është më kryesorja është që shmang dhe rrezikun e përmbytjes, duke pasur parasysh dhe situatën e viteve të fundit me reshjet.

Rikthimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, është ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin./KosovaPress/