Aktuale

​Rama: Bota shqiptare është një, e pandashme për të dyja qeveritë tona

Kosova dhe Shqipëria do t’i trajtojnë sikur të ishin një shtet promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes dy vendeve, problemet e mësimit në gjuhën shqipe dhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës. Krejt kjo pasi që bota shqiptare është një, përkundër asaj se janë të ndara në dy shtete.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media pas nënshkrimit të 12-të marrëveshjeve në mes të dy qeverive.

Ai bëri të ditur se mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në Pejë, ndërsa as ai dhe as kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk deshën të përgjigjen nëse do të mbahet ndonjë mbledhje e tillë në veri të Kosovës.

Sipas Ramës, bazuar në atë sa është bërë deri sot, janë marrë angazhime të rëndësishme mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë.

“Që nga mbledhja e parë në Prizren në vitin 2014, e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar. Më vjen mirë po ashtu që tërë hapat e ndërmarrë, janë hapa mirë të përcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, pastaj edhe problemet e mësimit në gjuhën shqipe, edhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës, do t’i bëjmë si një sepse pavarësisht se jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një, e pandashme për të dyja qeveritë tona”, tha Rama.

Kryeministri Rama, si duket nuk ka ndryshuar mendim lidhur me çështjen e demarkacionit, pasi që në një përgjigje ndaj gazetarëve tha se atë që e mendon edhe e ka thënë, dhe për qëndrimin e tij, është në dijeni edhe kryeministri Haradinaj.

“Unë atë që kam thënë Ramushi e di, dhe ashtu e mendoj, ashtu e besoj dhe ashtu e kam bindjen. Me këtë rast nuk do ta kisha përsërit. Me që jemi mbledhur këtu për çështje tjera, nuk e pash të udhës që ta përsëris”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është mirë që 12 marrëveshjet e nënshkruara u përmbyllën në prag të festës së 28 Nëntorit, ndërsa shtoi se janë duke punuar në unifikimin doganor dhe në përmbylljen e një protokolli për lehtësimin total të kalimit të kufirit.

Sipas Haradinajt, rrugëtimi euroatlantik i Kosovës, është i lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë.

“Jam i gëzuar që ne sot përmbyllëm 12 marrëveshje të ndërsjella, Shqipëri-Kosovë. Njëkohësisht jemi në punë me e përmbyllë edhe një protokoll të kalimit të kufirit, pra që lehtëson krejtësisht kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri dhe po punojmë intensivisht në unifikimin doganor. Jemi në proces, pala kosovare ka ngecë, por do të arrijmë aty. Kosovën e presin shumë sfida, mirëpo janë sfida që burojnë nga vet specifikat e Kosovës. Ne rrugëtimin tonë euroatlantik e shohim të lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë”, tha Haradinaj, raporton KosovaPress.

Në vijim i gjeni të renditura marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive: Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës; Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës; Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve– AIDA dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KEISA; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës; Protokoll për bashkëpunimin teknik në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës; Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në krijimin dhe funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvilli mit Ekonomik të Republikës së Kosovës./kp