Rajon & Botë

​Presidenti Obama urdhëron hetim për hakimin e e-mail të Hillary Clinton

Presidenti në largim i SHBA-ve, Barack Obama urdhëroi inteligjencën për të hetuar hakimin e e-mail të ish kandidates demokrate për president, Hillary Clinton.

Këshilltarja për sigurinë e brendshme dhe antiterrorizëm në Shtëpinë e Bardhë, Lisa Monaco, tha se Obama ka urdhëruar një hetim dhe ka shtuar se raporti i hetimit do t’i dorëzohet Obamas para mbarimit të mandatit të tij muajin e ardhshëm, raporton AP.

Ajo nuk ka bërë të ditur nëse raporti i hetimit do të bëhet publik, transmeton KosovaPress.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë akuzuar Rusinë se është përgjegjëse për thyerjen e-mailit dhe ndërhyrje në fushatën presidenciale. Shumë demokratë mendojnë se publikimi i e-maileve dhe hetimet gjatë fushatës, kontribuan në fitoren e  Donal Trump. Por, gjatë fushatës, Trump hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së Rusisë në zgjedhjen e tij.

Anëtari i Komitetit të Inteligjencës së Kongresit Amerikan nga radhët e Demokratëve, Adam Shif përshëndeti vendimin e Obamës. “Pasi Tramp refuzoi të pranojë përfshirjen e Rusisë në proces, ka një nevojë për të kryer hetime para se Obama të lë Presidencën”, ka thënë ai./KosovaPress/