Policia e Kosovës ka vlerësuar se në aspektin e sigurisë në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Referuar informacioneve zyrtare, policia njofton se janë evidentuar disa raste të ndryshme, por që me veprimet profesionale dhe të menjëhershme janë menaxhuar me sukses nga autoritetet kompetente, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.
Në Policinë e Kosovës në gjithë territorin e vendit janë evidentuar disa raste penale, si dhe katërmbëdhjetë incidente të natyrave të ndryshme, të cilat janë trajtuar dhe menaxhuar me sukses.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar të PKK-Jarinje, sot rreth orës 12:40 në hyrje të Kosovës kanë ndaluar për kontroll një autobusë udhëtarësh me targa KG, në të cilin janë gjetur mjete të dyshimta shpërthyese.
Pas verifikimit të mjeteve të dyshuara ka rezultuar të jenë dy granata dore dhe dy detonator elektrik të cilët në mënyrë të kontrolluar janë larguar nga njësitet kompetente.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të zyrtarëve policor lidhur me këtë rast janë shoqëruar tre persona të dyshuar serb në stacion policor. Lidhur me këto raste në cilësinë e personave të dyshuar me vendim të prokurorit kompetentë janë ndaluar pesë persona.
Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorët kompetent.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përfshirë mbrojtjen e të drejtave njerëzore në përgjithësi deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.