Aktuale

​Pensionistët detyrohet të dëshmojnë se janë gjallë, konsiderohet cenim i dinjitetit

Shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyret e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit. Kjo është e paraparë në ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Kurse, nëse kjo nuk respektohet, Ministria mund të suspendojë përkohësisht pagesën e pensionit.
Detyrimi për të dëshmuar çdo gjatë muaj se pensionistët janë gjallë, po konsiderohet si cenim i dinjitetit të pensionistëve, pasin që pensioni është një e drejtë e fituar një herë dhe nuk do të duhej të cenohej.

Pensionisti Hamdi Pacolli thotë se të lajmërohesh çdo gjashtë muaj është vetëm maltretim, e sidomos për ata të cilët nuk janë në gjendje të mirë fizike.

Po ashtu, edhe pensionisti Sinan Duli, tha se e kishte lënë pensionin vetëm për këtë shkak, pasi kur shkon për t’u paraqitur i kërkojnë edhe shumë gjëra të tjera.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se e konsiderojnë si cenim të dinjitetit të pensionistëve atë që duhet të paraqiten çdo gjashtë muaj pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të dëshmuar se janë gjallë.
Sipas tij, pensioni është një e drejtë e fituar njëherë dhe nuk do të duhej të sfidohej më. Avokati i Popullit këtë kërkesë e ka dërguar edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku i kanë rekomanduar disa metoda për rregullimin e kësaj çështjeje.

Po ashtu, sipas Avokatit të Popullit një mundësi tjetër është që Qendrat për Punë Sociale të cilat janë në të gjitha komunën, të bëjnë vizita tek familjet nëse dëshirojnë që të arsyetojnë se nëse një person është në jetë.
Ndërsa, në përgjigjen e kthyer nga Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se kjo ministri vazhdimisht ka pasur në konsideratë rekomandimet e Avokatit të Popullit, të cilat janë shqyrtuar dhe janë marrë masat konkrete.

Më tej thuhet në përgjigje të Ministrisë se vazhdimisht janë kërkuar modalitete më të përshtatshme dhe të lehta për të verifikuar se a janë gjallë pensionistët dhe a janë banorë të përhershëm të Kosovës.Gjithashtu, në përgjigje thuhet se në kuadër të Planit të Punës së Qeverisë për vitin 2017 është paraparë hartimi i koncept-dokumentit për rregullimin e sistemit pensional në Kosovë, si dhe në programin legjislativ për vitin 2017 është paraparë hartimi i Projekt-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili është në fazën e finalizimit./KosovaPress/