Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sonte ka përmbyllur fushatën zgjedhore për kryetar të Drenasit, duke u shprehur të bindur se më 18 dhjetor do të festojnë fitoren.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se më 4 dhjetor është dëshmuar fuqia e PDK-së në Drenas, ndërsa u shpreh i bindur se më 18 dhjetor do të festohet fitorja e madhe e PDK-së dhe e kandidatit Ramiz Lladrovci, për kryetar të Drenasit, raporton KosovaPress.
“Po ua jap fjalën e njeriut që ka qenë në luftë, po ua jap fjalën e gjithë Partisë Demokratike të Kosovës, pa asnjë mëdyshje, për asnjë moment, as më 4 dhjetor, e asnjë herë kurrë s’kena më pas mëdyshje prej Drenasit dhe Drenicës. Kemi pas përkrahje kur e kemi pas mesë rëndi, ka qenë fuqia jonë, inspirimi jonë për me qëndruar edhe atëherë kur bash rëndë ka qenë për të qëndruar. Edhe atëherë kur shpesh janë venitur bukur shumë shpresat se këna mund me u çliruar. Por, ky popull na ka mbajt në kohën më të rëndë, na ka mbajt e na ka mbrojt, nuk na ka inkuraju me luftuar deri në fund, deri sa e kemi largu Serbinë prej këtij vendi”, tha Veseli.
Ai tha se sot më shumë se çdo gjë, Kosovë edhe Drenasit i duhet qetësi, i duhet maturi dhe pjekuri, dhe veçanërisht mençuri në këto procese në të cilat po ec shteti ynë.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe qytetarinë e treguar gjatë procesit zgjedhor dhe shprehu bindjen se Drenasi do t’i vazhdojë fitoret e PDK-së në Drenas, kurse ka ftuar qytetarët që më qetësi dhe sa më masivisht të dalin për të votuar më 18 dhjetor.
Ai ka falënderuar mësimdhënësit që vazhdojnë ta edukojnë dhe arsimojnë rininë e Drenasit, ndërsa ka falënderuar edhe familjen e tij për përkrahjen e pakursyer që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin.
“Së bashku me kryetarin Veseli kemi prezantuar prioritetet e qeverisë sime, për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, shërbimet publike, rregullimin e ambientit, për një Drenas me jetë më të mirë, me kushte më të mira, me perspektivë dhe një të ardhme të sigurt, për të gjithë qytetarët e Drenasit, për fëmijët dhe prindërit tanë”, tha Lladrovci.
Ai ka shtuar se duke votuar numrin 13, ju votoni për idealet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve dhe ka porositur qytetarët që më 18 dhjetor të dielën dhe me qetësi të shkojnë në qendrat e votimit dhe me zemër ta votojnë numrin 13 dhe partinë e tyre, Partinë Demokratike të Kosovës./KosovaPress/