Aktuale

​NISMA me 6 deputetë, këta janë dy kandidatët që dështuan për pak

NISMA e Fatmir Limajt do të përfaqësohet vetëm nga gjashtë deputetë në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, e jo nga 8 siç kishin pohuar pak ditë pas zgjedhjeve.

Partia që më 11 qershor ka garuar si pjesë e koalicionit PDK-AAK-NISMA, ka garantuar vetëm gjashtë ulëse për kandidatet e saj për Kuvend, shkruan Gazeta Express.

Sipas rezultateve përfundimtare që KQZ i shpalli të enjten, deputetë të kësaj partie, përveç kryetarit të saj Fatmir Limajt i cili ka grumbulluar 31 mijë e 411 vota, janë edhe Haxhi Shala (12,763 vota), Zafir Berisha (12,276 vota), Milaim Zeka (12,033 vota) dhe Bilall Sherifi (11,942 vota).

Ndërsa, e vetmja femër nga lista e kandidatëve të kësaj partie që do të ulet në Kuvend do të jetë Albulena Balaj-Halimaj me 6886 vota.

Deputetja Balaj dhe ish-gazetari Milaim Zeka do të jenë deputetë për herë të parë në Kuvend.

Por, jashtë listës përfundimtare të deputetëve të koalicionit PAN, me numrin përfundimtarë të votave, kanë mbetur ish-shefja e grupit parlamentar të NISMA’s Valdete Bajrami dhe ish-deputeti Enver Hoti, raporton Gazeta Express.

Emrat e të dyve, partia e Fatmir Limajt, kur u shpallen rezultatet preliminare të zgjedhjeve i kishte radhitur në listën e deputetëve të tyre, që kjo parti synonte që do t’i ketë gjithsej 8.

Ndryshe, koalicioni PDK-AAK-NSIMA ka fituar gjithsej 39 mandate në kuvend. 24 prej tyre i takojnë PDK’së, 9 janë të AAK’së, ndërsa 6 të NISMA’s. /GazetaExpress/.