Njësit e Doganës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës njoftojnë se gjatë kontrolleve në pikën kufitare të Vërmicës, kanë arritur të kapin mbi 10 kg substanca narkotike të llojit marihuanë.
“Mbrëmë rreth orës 23:50 është ndalur për kontrolle ,në vijën e dytë të kontrollit, vetura e tipit OPEL me targa të Kosovës që drejtohej nga një shtetas i Kosovës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e lartë përmendur është zbuluar një sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike. Sasia e lëndës narkotike ishte 10300 gram (10 kilogram e 300 gram)”, njofton Dogana e Kosovës.
Sipas tyre, lëndët narkotike ishin të fshehura në disa pozicione në automjet në 21 paketime.
Personi i dyshuar është arrestuar dhe rasti është përcjell tek Policia e Kosovës.
Dogana njofton se gjatë kontrollit janë shfrytëzuar pajisjet e dhuruara nga Qeveria amerikane përmes programit EXBS-i, të cilat mundësuan zbulimin e shpejt të këtij rasti. /KosovaPress/