Një person, rreth 25 vjeçar nga Mitrovica, mbrëmë pas mesnate është arrestuar nga Policia në afërsi të Zveçanit, pasi nuk kishte respektuar urdhrat e policëve për ndalim, duke rrezikuar kështu me automjetin e tij jetën e policëve që ishin në detyrë.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se vozitësi i cili po udhëtonte me furgonin e tij në drejtimin Prishtinë-Mitrovicë, është i njohur si kontrabandist, dhe kishte me vete dhjetëra bidonë të zbrazët, ndërsa destinacion kishte veriun për t’i mbushur ato me derivate.
“Vozitësi me furgonin e tij që po qarkullonte nga drejtimi i Prishtinës në Mitrovicë mbrëmë rreth orës 02:00 pas mesnate, nuk i është bindur urdhrave të policisë për ndalje në pikë-kontrollin afër Vushtrrisë. Pasi policia i është vënë në ndjekje në përpjekje për ta ndalur, ai me shpejtësinë e automjetit të tij kishte rrezikuar në vazhdimësi patrullat policore deri tek fshati Shupkovc i Mitrovicës. Vozitësi më pastaj duke parë se pjesëtarët e policisë kanë dalë në rrugë tek Shupkovci në përpjekje për ta ndalur, ka tentuar t’i shkelë policët, derisa njëri prej policëve ka shtënë me armë”, kanë thënë burimet.
Sipas informatave që ka KosvoaPress, policia ka vazhduar ta ndjek automjetin deri në një fshat të Zveçanit në veri të vendit, ku vozitësi ishte bllokuar nga bora në përpjekje për të ikur rrugëve dytësore, me ç’rast edhe e kanë arrestuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar ngjarjen për KosovaPress, duke thënë se në rastin e mbrëmshëm i dyshuari ka vozitur furgonin e tij me shpejtësi, duke rrezikuar në vazhdimësi patrullat policore që i kërkonin dhe tentonin ta ndalonin.
“Me të arritur në zonën e fshatit Shupkovc, në përpjekjen tjetër për ta ndalur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj zyrtarëve policorë dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, njëri prej policëve ka shtënë me armë me qëllim të ndaljes së të dyshuarit, dhe në rrethana të pashmangshme të mbrojtjes së nevojshme”, ka thënë Zahiti.
Ai, duke mos dhënë detaje tjera, shtoi se i dyshuari është arrestuar në zonën e Zveçanit. /KP