Behgjet Pacolli është rizgjedhur president i Aleancës Kosova e Re. Pas një procesi zgjedhor të brendshëm, anëtarësia e kësaj partie i dha mbështetje të plotë Pacollit edhe për një mandat në krye të AKR-së.
Fatmir Matoshi, i cili ishte kryetar i Komisionit Zgjedhor në AKR, tha se pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor, AKR është e gatshme për zgjedhje, qofshin ato lokale apo nacionale, dhe se partia do të kthehet fuqishëm në skenën politike.
Matoshi tha se procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë, duke e quajtur ditë feste për AKR-në dhe strukturat e saj.
“Tashmë AKR ka një President me legjitimitet të plotë, të zgjedhur nga anëtarësia e saj, dhe për këtë më meritorët janë aktivistët tanë nëpër degë dhe Komisionet Zgjedhore të Degëve. Nuk kemi pasur asnjë problem gjatë tërë këtij procesi”, tha Matoshi në një intervistë me shkrim për KosovaPress.Sipas tij, pjesëmarrja e anëtarësisë në votimin për të zgjedhur kreun e partisë, ishte mjaftë e madhe.
“Ristrukturimi i partisë gjatë një viti të kaluar, dje i ka dhënë rezultatet e veta, si subjekt politik dhe si Komision Zgjedhor jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe përkrahjen qytetare të treguar dje për Presidentin Pacolli dhe AKR-në”, tha Matoshi.

Në garën për të parin e AKR-së ishte kandidat vetëm Behgjet Pacolli. Por, kreu i Komisionit Zgjedhor Fatmir Matoshi thotë se edhe pse ishte dëshira dhe kërkesa e udhëheqjes së partisë që të kishte më shumë kandidat, strukturat kanë vlerësuar se Pacollit duhet t’i japin mbështetjen edhe për një mandat.
“Dëshira jonë dhe e Presidentit Pacolli ka qenë që në këtë garë të ketë më shumë kandidatë, ne i kemi inkurajuar të gjitha degët dhe strukturat e partisë që të ketë edhe një kandidat së paku, por vlerësimi dhe autoriteti i lartë që ka presidenti Pacolli brenda partisë, ka bërë që të kemi vetëm një kandidat”, tha ai.
Pas këtij procesi të brendshëm zgjedhor, Matoshi thotë se AKR është e gatshme edhe për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në pjesën e fundit të këtij viti.
“Votimi i djeshëm do të pasohet edhe me votime të tjera, që ndërlidhen me zgjedhjet lokale. Një formë afërsisht e ngjashme do të përdoret për të përzgjedhur kandidatët tanë për kryetar nëpër komuna. AKR Tashmë është e gatshme për zgjedhje, qofshin ato lokale ose nacionale të parakohshme dhe jemi të sigurt se do të rikthehemi fuqishëm në skenën politike kosovare”, shtoi ai.
AKR për herë të parë ka aplikuar edhe votimin elektronik për të zgjedhur kreun e partisë, duke u bërë kështu partia e parë në Kosovë që aplikon një formë të tillë.
Matoshi thotë se këtë e kanë bërë më tepër për diasporën, e cila ka rezultuar e suksesshme, meqë nuk ka pasur mundësi manipulimi.
“Votimi elektronik më tepër është menduar për diasporën tonë, ne jemi kujdesur që ta sqarojmë procedurën e këtij votimi. Ekspertët kanë punuar që ky lloj votimi të mos ketë mundësi për tu manipuluar dhe jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen edhe në këtë votim”, thotë Matoshi.
Ndërsa, i pyetur nëse Pacolli do të mund të bëjë ndryshime në këtë parti, duke qenë se ka udhëhequr me AKR-në edhe më parë, kreu i Komisionit Zgjedhor në AKR, Fatmir Matoshi, thotë se sikurse partia ashtu edhe presidenti Pacolli janë liberal dhe ardhjet e reja tashmë kanë treguar se reformimi ka ndodhur.
“Ne jemi parti liberale, presidenti ynë është i tillë po ashtu. Ardhjet e reja që kemi në parti gjatë këtij viti të riorganizimit janë tregues se reformimi tashmë ka ndodhur. Kosova ka nevojë për një klasë politike të njerëzve punëtor e të sinqertë, që kanë autoritet në vendet prej nga vijnë. Kosovës më së paku tani i nevojitet klasë politike me njerëz që kanë krijuar autoritet në tema dhe debate të thata mediale dhe që tashmë nuk mund t’i japin asgjë më shumë këtij vendi. Kosova për përjeton një gjendje të rëndë sociale dhe po stagnon në zhvillimin ekonomik të saj, andaj ardhja e AKR-së në qeverisje tani është e domosdoshme për vendin”, është shprehur Matoshi.
AKR dje ka përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor, me votimin për president të AKR-së, të cilin do ta udhëheq edhe më tej, ish presidenti i saj, dhe ish presidenti i vendit, Behgjet Pacolli. /KosovaPress/