Në Prishtinë po mbahet simpoziumi shkencor “Themelimi i Lëvizjes-LPK dhe heronjtë e janarit 1982”, organizuar nga Shoqëria “Lëvizja”, bashkë me Institutin Albanologjik – Dega e Historisë dhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Ky simpozium është mbajtur në përvjetorin e 35-të të vrasjes së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Shtutgart të Gjermanisë.
Në këtë simpozium janë paraqitur 30 kumtesa nga studiues dhe protagonistë të kohës së themelimit të LPK-së, të cilat siq u tha nga folësit janë ndihmesë për hulumtim dhe studim të periudhës 20 vjeçare të përpjekjeve të kombit shqiptar.
Kryetari i shoqatës “Lëvizja” Xhevat Bislimi tha se simpoziumi i përvitshëm ka për qëllim të gjurmojë dhe ndriçojë periudhën e historisë kombëtare.
Në lidhje me këtë Bislimi tha se ideatore e luftës kundër pushtuesit ishte Lëvizja Popullore e Kosovës bashkë me organizatat atdhetare të kohës. Sipas tij në themele të këtij bashkimi dhe krijimit të LPK-së janë vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe atdhetarët dhe dëshmorët tjerë të rënë.
“ Në themele të këtij bashkimi dhe krijimit të LPK-së janë mendja, puna dhe gjaku i Kadri Zekës, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe i atdhetarëve dhe dëshmorëve që nuk kursyen mundin, djersën dhe gjakun e tyre për realizimin e dëshirës së një populli të copëtuar për liri, barazi ekonomike dhe shoqërore, pavarësi dhe bashkim të Shqipërisë në një shtet të vetëm…Të vërteten shkencore për këtë periudhë e bën të vështirë edhe pamundësia ose vështirësia e hulumtimit në arkiva të vendeve fqinje dhe të vendeve tjera në botë. E mira e këtij Simpoziumi të përvitshëm është se do të ngacmojë njerëzit, që ishin akterë ose bashkëakterë të atyre viteve ta thonë dhe ta shkruajnë të vërtetën e tyre”, tha Bislimi.
Në simpozium përveç shumë personaliteteve tjera po merr pjesë edhe njëri nga ish-presidentët e Shqipërisë Alfred Moisiu.
Ai tha seky simpozium sjell në pah njerëzit që kanë kontribuar për komb, e rrjedhimisht edhe pavarësimin e shtetit të Kosovës.
Sipas Moisiut kjo është e rëndësishme edhe për brezat që vijnë, sepse sipas tij me kalimin e kohës ata nuk e dinë se çfarë gjaku kanë.
“Kjo është shumë e rëndësishme veçanërisht për brezat që vijnë, sepse dikush me kalimin e kohës, harron kush ka qenë dhe çfarë gjaku, çfarë vështirësish është përballuar për të ardhur në këto ditë…Për fat të keq fqinjët tanë të kohës janë treguar të pabesë ndaj nesh, janë treguar shumë zullumqar dhe kanë bërë çmos që trojet shqiptare të tkurren. Megjithatë, ne jemi racë e bekuar në kuptimin e mirë të fjalës, që falim, por nuk harrojmë, sepse të falësh është veti njerëzore, por në asnjë mënyre nuk duhet harruar. Po harrove mund të biesh prapë në atë fatkeqësi. Asnjëherë ne nuk jemi pajtuar me padrejtësitë që na u janë bërë, pavarësisht nga mundësitë që kemi pasur për të iu kundërvënë atyre, për t’iu kundërshtuar ato dhe për të mos lejuar zbatimin e tyre”, tha Moisiu.
Për historinë e shqiptarëve që nga gjysma e dytë e shekullit XIX ka folur drejtori i Institutit Albanologjik Hysen Matoshi.
Ai tha se që nga ajo periudhë shqiptarët filluan të lëshojnë rrënjë për idetë kombëtare.
“Lëvizja Kombëtare Shqiptare, shfaqet në trajta të ndryshme për gjatë gjithë kësaj periudhe historike. Padrejtësitë që u bën në kurriz të shqiptarëve, mos realizimi i të drejtës për të jetuar brenda shtetit shqiptarë, për pjesën më të madhe të tyre. Ndikuan që Lëvizja jonë kombëtare për çlirim, t’ i jepte ngjyrim dominant gjithë rrjedhës tonë historike të shekullit të XX…Vrasja e tre atdhetarëve të shquar shqiptarë, Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, ishte menduar prej jugosllavëve si fundi i lëvizjes. Por në të vërtetë ky ishte fillimi i fazës të re, madje edhe më të organizuar të rezistencës kombëtare kundër pushtuesit. Për këtë fazë zhvillimi do të flitet sot, por shpreh bindjen, se do të flitet dhe do të shkruhet më shumë në të ardhmen”, tha Matoshi.
Simpoziumi shkencor “Themelimi i Lëvizjes-LPK dhe heronjtë e janarit 1982” do të vazhdojë gjatë tërë ditës ku personalitete dhe anëtarë të Lëvizjes do të prezantojnë punimet e tyre për punën dhe rrjedhën e Lëvizjes si dhe për veprimtarinë e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës./KP





















