Këshilli Prokurorial i Kosovës konsideron se përpjekjet për publikim të fakteve se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka falsifikuar provimin e Jurisprudencës, janë përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij dhe sistemit prokurorial, andaj kërkon nga ata që kanë ngritur këto dyshime t’i tërheqin publikisht.
Pas shkrimeve në media se kryeprokurori Lumezi e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës sipas të cilit nga të gjitha të dhënat zyrtare që disponon, nuk ka dilema se Lumezi ka ofruar dokumentet e kërkuara, përfshirë certifikatën për dhënien e provimit të Jurisprudencës, origjinaliteti i së cilës nuk është vënë në pikëpyetje asnjëherë dhe me asgjë.
Bazuar në mandatin Kushtetues e Ligjor, Këshilli Prokurorial i Kosovës sqaron qytetarët e Kosovës se procesi i përzgjedhjes së Aleksandër Lumezi fillimisht si prokuror, pastaj si kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit dhe së fundi si kryeprokuror i shtetit, ka kaluar përmes të gjitha procedurave të rekrutimit dhe verifikimit të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligj, thuhet në reagim.





















