Ka filluar fushata e korrje-shirjeve në komunën e Shtimes duke shënuar edhe muajin e korrje-shirjeve në vendin tonë për sivjet.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili e ka filluar këtë fushatë, tha se këto të mbjella me grurë tregojnë edhe përkushtimin e qytetarëve të Kosovës që ta punojnë tokën.
“Kjo tregon përkushtimin e njerëzve tanë për tokën, për vendin, për prodhimin vendor, për shfrytëzimin e sipërfaqeve tokësore sepse është një sipërfaqe e cila më parë siç u tha më parë ka qenë shkurre por është shndërruar në sipërfaqe për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore, kjo për grurin ajo pjesë e plantazht të mollëve që po ashtu është një sukses tepër i madh është edhe një sukses i ministrisë në përkrahjen e bujqve tanë dhe njerëzve të cilët janë të përkushtuar që ta zhvillojnë bujqësinë”, tha ai.
Kurse, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se Kosova sivjet shënon vitin me rendimentin më të lartë për një kohë të gjatë.
“Jam veçanërisht i kënaqur këtë vit duke u nisur nga fakti që është një nga vitet më të mira në një kohë shumë të gjatë, përveç që kemi një sipërfaqe rekorde të kultivuar me grurë që është një kulturë strategjike për ne është jashtëzakonisht të thuhet se këtë vit rendimentet janë shumë të mëdha, janë më të mëdha se vitin e kaluar, pritet që të jenë diku nga 4,5 ton për hektarë dhe kur kemi parasysh që këtë vit kemi 85 mijë hektarë të mbjellura me grurë anë e kënd Kosovës presim që rendimenti total të jetë afërsisht 90 për qind që të mbuloj konsumin e grurit në vendin tonë sipas standardit të FAO-s”, deklaroi ai.
Krasniqi tha se megjithëse me vonesë, brenda dhjetë ditëve do të përfundojnë të gjitha obligimet ndaj atyre që kanë përfituar subvencione nga MBPZHR-ja.
Hyzer Gashi tha se ka investuar mbi 1 milion euro në këto toka i bindur se këto investime do të kthehen.
“Ne si kompani e hapëm këtë kapitull për investime duke shpresuar se e ardhmja është këtu dhe jam shumë i bindur që me investime kthehet shpresa. Kjo tokë ku sot gjendemi për korrje-shirje dhe këto plantacione para 1 viti ishin shkurre de u hapën këto toka të cilat u blenë dhe u punësuan në emër të kompanisë për të bërë investime. Investimet e deritanishme në këtë zonë e kapin shumën prej 1 milion euro duke qenë investime vetanake por edhe duke u përkrahur nga ministria e Bujqësisë me donacione, subvencione por njëkohësisht edhe komuna me projekte infrastrukturore dhe këshilla të tjera”, tha ai.
Ndërkohë, i pyetur për formimin e FAK-ut, i cili një ditë më parë kishte deklaruar se po e pret demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se toka e Kosovës është e përcaktuar me shpalljen e pavarësisë së vendit.
“Tash ne jemi këtu në një fushëveprim krejt tjetër që prapë flet për tokën tonë. Kjo tokë e jona është përcaktuar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është përcaktuar territori që e zotëron Kosova, është përcaktuar edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës që ata ta punojnë këtë tokë, ta zhvillojnë vendin tonë edhe duke i respektuar rregullat ndërkombëtare, konventat ndërkombëtare, pastaj të bëjë përkufizimin e vendit tonë me vendet tjera. Në këtë ne do të respektojmë gjithë atë që është e paraparë me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës por para se gjithash do t’i japim përparësi që ne të jemi zot i tokës tonë, ta punojmë tokën tonë, ta zhvillojmë bujqësinë dhe veprimtaritë e tjera, nuk do ta lakmojmë tokën e tjetër kujt por në asnjë moment të jeni të sigurt se as nuk do t’i mashtrohemi lakmisë për tokën tonë sepse ajo është e jona ne do ta punojmë atë”, deklaroi ai.
Edhe kryetari i Shtimes, Naim Ismaili, tha se është i kënaqur me punimin e tokës nga qytetarët e komunës si dhe rendimentin e tokës sivjet./KP/