Lidhur me punimet e të ashtuquajturës ‘Lugina e Diellit’ në veri, ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka thënë se Inspektorati i Ministrisë ka kryer mbikëqyrje me proces verbal në Drejtorin e Urbanizmit në Zveçan, me ç ‘rast ka kërkuar nga kjo drejtori që të prezantojë dokumentacionin teknik rreth ndërtimit në fjalë.
Sipas saj, Drejtoria e Urbanizmit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar.Ndonëse, as kësaj kërkese komuna e Zveçanit nuk i është përgjigjur, sipas ministres Reshitaj ka pasur shkelje të ligjit.
Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se për ndërtimin e një kolonie që quhet “Lugina Diellit”, komuna e Zveçanit nuk po ofron dokumentet e nevojshme për të treguar se çfarë po ndodh në atë pjesë.
Madje, ai tha se padia e MMPH do të ‘myket’ në sirtarët e gjykatave, sepse siç tha ai, komuna e Zveçanit i zbaton politikat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ajo ka thënë se e kupton shqetësimin e deputetit Berisha dhe qytetarëve të Kosovës, por sipas saj, politikat e gabuara të Serbisë, sidomos viteve të fundit janë të involvuara drejtpërdrejt edhe në këtë problematikë, “Luginën e Diellit”.