Aktuale

​Komuna e Prishtinës tash e tutje diskuton online me qytetarët

Komuna e Prishtinës ka lansuar sot platformën digjitale për pjesëmarrje publike.

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha me këtë rast se me lansimin e këtij projekti të digjitalizimit nuk do të zëvendësohen diskutime publike, por sipas tij qytetarëve  do t’iu krijohet një mundësi më e mirë e komunikimit online me zyrtarët komunalë.

 

“Ne si komunë e Prishtinës, këtë vit dhe vitin e kaluar i kemi mbajtur mbi 50 diskutime publike në vit, me ç ‘rast kemi shkuar lagje për  lagje, përveç asaj që është  kërkesë ligjore që të mbahen diskutime publike. Me këtë platformë ne nuk e zëvendësojmë diskutimin publik. Megjithatë do t’ia mundësojmë komunikimin digjital apo komunikimin online me qytetarët. Ideja është që Prishtina të shkojë drejt buxhetit  pjesëmarrës, që do të thotë që sa më shumë të marrim mendimet e qytetarëve  mbi prioritet e lagjeve…Kjo platformë mundëson që qytetarët drejtpërdrejt të komunikojnë me neve si komunë dhe po ashtu u mundëson qytetarëve të votojnë për prioritete“, tha Ahmeti.

Kurse, Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi tha se kjo platformë për herë të parë implementohet në komunën e Prishtinës, ndërsa pas një jave do të fillojë edhe në Gjakovë. Ai tha se ky projekt pas pilotimit të tij do të lansohet me 1 janar të vitit 2017.

 

“Është thjesht një platformë e cila iu mundëson qytetarëve qasje online në propozimin e projekteve të caktuara të lagjes së tyre. Çdo qytetar mundet me propozuar çfarëdo projekti vetëm për lagjen e tij… Pas prezantimit të projektit, vetëm qytetarët e asaj lagjeje kanë mundësi të votojnë  për atë projekt, qytetarët e lagjeve të tjera nuk kanë të drejtë. Prandaj, kjo nënkupton se kjo platformë digjitale online  e ngrit dukshëm transparencën edhe pjesëmarrjen publike të qytetarëve në vendimmarrje që është shumë me rëndësi për ne”, tha Nushi.

Kurse, Luan Hasangjekaj nga kompania e kontraktuar ‘APPDEC’,  tha se jo platformë mundëson komunikim  të dyanshëm ndërmjet banorëve dhe zyrtarëve komunalë.

Sipas tij, banorët regjistrojnë idetë apo nevojat e tyre ndërsa zyrtarët regjistrojnë plane për diskutim me banorë të komunës së Prishtinës.

 

“Moduli kryesor i platformës është shtimi i regjistrimit  të ri , regjistrim të ri kemi quajt  një ide, një kërkesë, një nevojë çka do që një qytetar mundet me pa të rëndësishëm dhe me propozu për komunën…Regjistrimi i cili vjen prej qytetarëve adresohet te drejtoria përkatëse e komunës, në bazë të një kategorizimi që e kemi marr prej komunës, pas futjes së një regjistrimi të ri. Regjistrimi adresohet edhe vlerësohet nga drejtoria përkatëse dhe pastaj bëhet publik që edhe banorët tjerë apo vizitorë të platformës  ta shohin atë regjistrim të një banori të caktuar“, tha Hasangjekaj.

Drejtori i Departamentit të Demokratizimit, nga OSBE, Christopher Tuestch, vlerësoi implementimin e kësaj platforme duke thënë se kjo kontribuon në demokraci dhe transparencë në mes të qytetarëve dhe zyrtarëve komunal.

Ai  tha me anë të kësaj platforme do të bëhet edhe avancimi i qytetarëve./KP