Aktuale

​Kërkohet hartimi i kodit zgjedhor për media dhe themelimi i Asociacionit të Mediave Profesionale

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi tryezë diskutimi “Zgjedhjet dhe përgjegjësia e mediave në këtë proces”, me ç’rast u kërkua hartimi i një kodi zgjedhor për media si dhe themelimi i Asociacionit të Mediave Profesionale.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, tha se duke parë se çfarë po ndodh në rajon dhe botë është çështje parësore të diskutohet për parandalimin e lajmeve të rreme.

Më tej Hysenaj tha se është rritur dukuria e profileve të rreme në mediat sociale e njëherit është rritur edhe rreziku që mediat në Kosovë të bien pre e tyre, e që shpeshherë qëllojnë të jenë profile të kundërshtarëve politik.Për këtë arsye Hysenaj tha se kërkohet përgjegjësi e plotë e mediave gjatë kohës së fushatës zgjedhore e poashtu edhe në ditën e zgjedhjeve.Agron Bajrami kryeredaktor i “Kohës Ditore” tha se ky diskutim mund të jetë i vonuar, pasiqë fushata veç ka kohë që ka filluar dhe se për fat të keq, siaps tij, një pjesë e mediave janë të përfshira si pjesëmarrëse të fushatës e jo si vëzhguese.

Ai madje kërkoi që në këto zgjedhje të hartohet një kod zgjedhor për media, me shpresë se ai do të jetë funksional kur të vijë koha për zgjedhjet lokale.Edhe Jeta Xharra nga ‘Jeta në Kosovë’, tha se ato që u thanë në këtë takim janë çështje të cilat duan zgjidhje të shpejtë.Ajo nga KPM-ja kërkoi që të disiplinojë partitë politike që këto të fundit të mos kërkojnë hapësira jashtë rregullave. Ndërkaq nga kolegët e saj gazetarë, Xharra kërkoi që t’i bashkohen në presionit që po iu bënë kandidatëve për kryeministra, që të dalin përballë njëri- tjetrit në një debat televiziv.Ajo tha se vetëm frika nga humbja e debatit mund të jetë arsyeja e mospërballjes së tyre në debatin për kryeministër.

Ajo kërkoi që përveç kësaj gazetarët të konfirmojnë informatat dhe opinionet që marrin deri në tri burime.Laura Pula, Prokurore e Shtetit, tha se roli i Prokurorit të Shtetit është kyç në procesin e zgjedhjeve.

Ajo vlerësoi se falë raportimit të saktë të gazetarëve dhe në bashkëpunim me policinë e Kosovës kanë arritur edhe të arrestojmë persona që kanë prishur rendin në zgjedhjet e kaluara.Më tej, Pula tha se janë 100 prokurorë në ditën e zgjedhjeve dhe se do të kryejnë punën ashtu siç është paraparë në memorandum së bashku me ndihmën e gazetarëve.Ndryshe, në këtë takim u tha se partitë duhet t’i përshtaten modeleve të mediumeve e jo të kërkojnë që mediumet t’iu përshtaten atyre./KosovaPress/