Aktuale

​Instituti i Psikiatrisë Forenzike pa status të definuar

Instituti i Psikiatrisë Forenzike, i cili funksionon që nga viti 2014, kryen trajtime dhe bën vlerësime psikiatrike e ambulantore, për personat të cilët kanë kryer vepra penale, e që janë me probleme mendore. Që nga ajo kohë, ky institut është pa status ligjor të definuar.

Edhe pse ky institucion është kryekëput shëndetësor, të gjitha punët i kryen në bazë të kërkesave të Prokurorisë, Gjykatave dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Gani Halilaj, në një intervistë për KosovaPress, tha se kërkon që të definohet statuti i institutit dhe të përcaktohet se cilës ministri duhet t’i takojë.

Sipas tij, është më e rrugës që të përfshihet në kuadër të ministrisë së Shëndetësisë, pasi që shërbimet janë kryekëput shëndetësore.

 

“Pengesa kryesore, ose mungesa kryesore, është sa i përket stafit të infermierëve. Ky staf ka mangësi sepse në kuadër të punës që bëhet në 4 reparte të këtij institucioni kemi 23 infermierë, që është një numër i vogël për t’i përmbushur shërbimet 24 orësh. Për t’i përmbushur kërkesat e pacientëve është staf i mangët. Sot e kësaj dite statusi ligjor i këtij instituti nuk është i definuar. Është institucion që është mbështet në kuadër të SHSUK, një përkrahje sa i përket edhe stafit ndihmës kemi pasur drejtpërdrejt nga drejtori i SHSKUK…Pengesa kryesore është çështja e buxhetit, që sot e kësaj dite buxhetin nuk e kemi të definuar. Sot e kësaj dite nuk kam kod buxhetor dhe nuk e di sa kam buxhet. Edhe në kuadër të ligjit për Shëndet Mendor, nuk është definuar çështja e këtij institucioni. Në kuadër të këtij ligji është potencuar që më vonë, ky institucion, duhet të caktohet se cilës ministri duhet t’i takoj”, tha Halilaj.

Halilaj theksoi se gjykatat dhe prokuroritë e ngarkojnë stafin e këtij instituti duke dërguar kështu persona për ekzaminim, e që realisht nuk kanë kryer ndonjë vepër penale.

 

“Kemi pasur raste kur jemi ngarkuar pa nevojë, por ne kemi vazhduar trajtimin e tyre. Në të njëjtën kohë kemi raportuar tek Gjykatat se këta persona nuk na takojnë neve, gjendja e tyre është stabile. Rast më eklatant që kemi pasur, është me një femër, e cila që nga fillimi është orientuar në institucionin tonë. Ka ardhur shtatzënë, që më vonë pas një muaji të vlerësimit, është mbajt padrejtë në institucionin tonë deri në momentin e lindjes. E kjo vërtet ka qenë një shkelje e rëndë e të drejtës së saj. Kemi pengesa, pengesat nuk janë vetëm prej Gjykatave, mundësitë e gabimit janë edhe nga profesionistët, mjekët, që janë në kuadër të funksionimit të burgjeve, ose edhe nëpër Gjykatat në rajon”, tha Halilaj.

Drejtori Halilaj përmendi edhe vlerësimin që i është bërë këtij instituti nga Komiteti i Helsinkut, monitorimin e të cilit e ka bërë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe të Torturës (QKRMT).

Halilaj për KosovaPress tha se bazuar në këtë vlerësim, ky është instituti me shërbimet më të mira mjekësore, në krahasim me klinikat tjera në Kosovë.

 

“Ne monitorohemi herë pas here, nga institucionet si QKRMT, nga Avokati i Popullit, nga KLDMNJ. Praktikisht tek ne nuk ka nevojë të paralajmërohen për vizitat e tyre, pasi që e kanë atë të drejtë…Në vitin 2015 kemi pasur një mbikëqyrje nga Komiteti i Helsinkut, në kuadër të këtij Komiteti kanë qenë përfaqësues të shteteve të rajonit. Në atë monitorim është vërejtur se jemi institucion shembull dhe ai vlerësim është bërë jo nga QKRMT, por nga personat që kanë qenë në mbikëqyrje aty. Në saje të këtij vlerësimi nuk na është dhënë ndonjë rekomandim, është çështje e punës që kanë bërë stafi profesional këtu”, tha Halilaj.

Instituti Psikiatrisë Forenzike, ka repartet e ndara A, B, C, D në të cilat kryhen vlerësimet apo ekspertizat qoftë psikiatrike apo ambulantore për personat që trajtohen nga stafi profesional i këtij instituti.

IPF është themeluar që nga viti 2014 dhe deri tash ka pranuar rreth 300 persona për trajtim./KP