Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin që mund të luftojë korrupsionin, e që është hartuar mbi bazën e gjetjeve nga analizat rreth ndikimit të politikës ne sistemin e drejtësisë.
Nga ky raport që është titulluar “Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës”, del se problemi kryesor është ndikimi i sistemit politik në sistemin e drejtësisë.
Drejtori i IKD-së, Betim Musliu ka thënë se si zgjidhje më e mirë në luftën kundër korrupsionit, do të ishte themelimi i një prokurorie apo gjykate të pavarur totalisht nga politika në Kosovë, pasi që nuk ekziston besimi për të krijuar mekanizma të ri vendor.
“Ne kemi ardhur në përfundim që në këtë situatë të krijuar, e cila jo rrallë herë shihet edhe si e pa shpresë, të krijohet një prokurori dhe një Gjykatë Speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo gjykatë do të duhej që të ishte komplet institucion i pavarur me një mandate të kufizuar dhe që rekrutimi i gjithë stafit në këtë prokurori dhe këtë gjykatë do të duhej të bëhej nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Britania e Madhe… Ky model është duke shënuar rezultate shumë konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoni”, tha ai.
Ai ka potencuar se një Gjykatë Speciale e tillë, shihet e domosdoshme edhe për faktin se Policia rezulton të udhëheq vet Prokurorinë, pasi që Prokuroria nuk mund të marr vendime ndryshe nga ato të Policisë
Sipas tij, korrupsioni në Kosovë i takon profilit të ulët dhe të mesëm ndërsa IKD ka gjetur se në shumë raste të profilit të lartë, prokuroria ka ngritur aktakuza, të cilat janë refuzuar nga gjykata në raste të caktuara qysh në seancën e shqyrtimit të parë, që dëshmon kapjen e sistemit të drejtësisë.
“Në përgjithësi lufta kundër korrupsionit në Kosovë zhvillohet ndaj profilit të ulët dhe profilit eventualisht të mesëm po shumë pak zhvillohet ndaj profilit të lartë. Në të gjitha rastet që zhvillohet luftë kundër profilit të ultë dhe të mesëm në mbi 60 përqind të rasteve këto aktakuza që shkojnë në gjykata dështojnë, pra nuk arrijnë që të provohen në asnjë mënyrë, ndërsa kur bëhet fjalë për aktakuzat që ngritën ndaj profilit të lartë e që në këto dy tri vitet e fundit e kemi parë që janë ngritur një numër i këtyre aktakuzave atëherë numri i rasteve që dështojnë në këtë gjykatë në përqindje është mbi 90 përqind të rasteve të korrupsionit”, tha Musliu.
Kapja e sistemit të drejtësisë që ka për rrjedhojë edhe besimin e vogël të qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve, sipas Musliut kanë bërë që kriteri i liberalizimit të vizave të mos plotësohet.
“Fatkeqësisht besueshmëria e qytetarëve për sistemin e drejtësisë është vetëm 15 përqind si në sistem prokurorial si në sistem gjyqësor, dhe krejt kjo ka ndikuar që siç e dimë të gjithë një prej kritereve për liberalizim e vizave të mos plotësohet dhe ai është mos luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo është arsyeja pse duhet të sillemi vërdallë në ambasadat tona dhe të huaja për të kërkuar viza për të lëvizur lirshëm në zonën e shengenit”, tha ai.
Për themelimin e Gjykatës Speciale, Musliu ka thënë se nuk do të kishte asnjë pengesë ligjore nëse do të kishte vullnet politik, ndërsa është shprehur se shteti do të përfitonte nga kjo Gjykatë edhe financiarisht, me sekuestrimin e pasurisë së politikanëve.
Ndryshe, kompetencat e kësaj prokurorie dhe gjykate do të hyjnë në kuadër të tre kapitujve, atë të krimit të organizuar, korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare si dhe veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike./KP