Ministri i Financave Avdullah Hoti është pritur nga Ministri i Financave të Austrisë Hans Jӧrg Schelling dhe zyrtarë tjerë të lartë të këtij shteti.
Në një njoftim për media thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua për Marrëveshjen e Eliminimit të tatimit të dyfishtë me Austrinë, rreth se cilës janë duke u zhvilluar negociatat si dhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve austriak që të investojnë në Kosovë.
Gjatë takimit Hoti theksoi se është koha për të intensifikuar bashkëpunimin bilateral financiar mes dy shteteve me theks të veçantë për Marrëveshjen mbi Kredinë e Butë ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe për progresin e projekteve të cilat tashmë financohen përmes kësaj kredie, të cilat projekte po lehtësojnë jetën e qytetareve të Kosovës nëpër komuna të ndryshme.
Ndërsa, ministri i Financave të Austrisë Hans Jӧrg Schelling, falënderoi Ministrin Hoti për vizitën dhe për përkushtimin e tij në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy Ministrive, si dhe shfaqi gatishmërinë e tij dhe të shtetit austr iak për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën. Ministri Hoti po qëndron në Austri për një vizitë zyrtare./KosovaPress/