Aktuale

​Gjilani kundërshton arrestimin e Haradinajt

Me moton “Ramushi është Kosova” është mbajtur protesta në Gjilan, ku është kundërshtuar arrestimi dhe mbajtja e Ramush Haradinajt në Francë.

Në këtë protestë ishe edhe nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, i cili tha se ndalimi në paraburgim i Ramush Haradinaj e ka një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet të veprohet si shtet.

Sipas tij nuk mund të ndalet një njeri i cili ka luftuar për liri të popullit të tij, përderisa kriminelët shëtitën të lirë.

 

“Ndalimi në paraburgim i Ramush Haradinaj e ka një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet të veprohet si shtet, nuk mund të ndalet një njeri i cili ka luftuar për lirinë e popullit të vetë e në të njëjtën kohë kriminelët të shëtitën edhe në territorin e Kosovës edhe në Serbi pa u prekur nga drejtësia, kur e dimë që Serbia ka zhvilluar katër luftëra të njëpasnjëshme të cilat kanë pasë për qëllim shfarosjen e popujve të tjerë. Serbia në vend se të paguaj çmimin për luftën që e ka bërë, për dëmet që ia ka sjellë Kosovës, tash për të balancuar politikisht disa nga shtetet të cila ende po mendojnë së duhet të bëhet pajtim me Beogradin po bëjnë veprime në dëm të interesit të Koosvës de qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Isufi tha se institucionet e Kosovës përfundimisht duhet të marrin vendim që të mos vazhdojnë bisedimet dhe dialogun me Serbinë, pasi që sipas tij kjo nuk e ka asnjë kuptim.

 

“Institucionet e Kosovës përfundimisht duhet të marrin vendim që të mos vazhdojnë bisedimet dhe dialogu më, se nuk e ka asnjë kuptim. Nuk e ka asnjë kuptim sepse deri këta bëjnë bisedime Serbia me një lisë të skaduar e cila nuk ka asnjë përbërje esenciale për akuzë dhe që thirret në një krijesë që nuk ekziston më Serbi e Mal i Zi. Paramendojeni me një flet arrest të tillë është ndalur Ramush Haradinaj. Kjo mënyrë e sjelljes e shteteve të cilat e përfillin këtë listë tregon se e ka hilen prapa, prandaj edhe ata që mendojnë se mund ta zbehin, mund ta dobësojnë Kosovën duke qenë në shërbim të interesave të huaja dhe të atyre që nuk ja duan të mirën Kosovës”, tha ai.

Nënkryetari i AAK-së ka kritikuar edhe deputetët e Kosovës të cilët mbrëmë nuk arritën që të nxjerrin një Rezolutë ku do të kërkohej lirimi i Haradinajt.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Gjilnit dhe kryetari i AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu, tha se sot janë këtu për kauzën e vetme dhe të mirëfilltë të shqiptarëv, sipas tij për kauzën kombëtare.

 

“Sot ne jemi këtu jo për ndonjë kauzë politike apo partiake, por për një dhe të vetmen kauzë të mirëfilltë të shqiptarëve, për kauzën kombëtare. Ka qenë dhe mbetet kjo kauzë më e madhe se gjithçka tjetër për ne. Për këtë kauzë zoti Haradinaj dhe anëtarët e familjes dhanë , dhanë anëtarët e familjes, poste dhe pushtet dhe gjithçka nga vetja e vet, ai nuk është kursyer asnjëherë për Kosovën, për lirinë dhe për pavarësinë e shtetit. Ai u bë dhe tash është hero i gjallë i vendit tonë. Në Francë është ndaluar liria e Kosovës, aty është ndaluar lufta e drejtë e UÇK-së, aty u ndalua dinjiteti shqiptar”, tha ai.

Anëtari i kryesisë së OVL-së dega në Gjilan ,Shaqir Shaqiri, tha se luftëtaret e lirisë janë  për të ngritur zërin e mospajtimit me veprimin e padrejtë të Francës për arrestimin e Ramush Haradinajt dhe se arrestimi i luftëtarëve të lirisë në bazë të kërkesave që Serbia ka dërguar në Interpol sipas tij është më shumë se absurditet.

 

“Ne ish luftëtaret e lirisë sot veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me familjarët e dëshmorëve të kombit jemi mbledhur këtu që në mënyrën më paqësore të mundshme të ngrejmë zërin e mospajtimit dhe të protestës lidhur me veprimin absolutisht të padrejtë të shtetit Francez i cili me 4 janar arresti komandantin e UÇK-së gjeneralin e luftës së UÇK-së dhe luftëtarin e paqes z. Ramush Haradinaj dhe jo vetëm Francës por nga këto protesta paqësore ne luftëtarët e lirisë u themi të gjithë shteteve e veçanërisht atyre që na kanë njohur si shtet se arrestimi i luftëtarëve të lirisë në bazë të kërkesave që Serbia ka dërguar në Interpol është më shumë se absurditet”, tha ai.

Ish kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është arrestuar në Francë me një flet arrest të lëshuar nga Serbia për krime lufte.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytetet kryesore të Kosovës./KP