Aktuale

​Gjakova me një deklaratë kërkon lirimin e Haradinajt

Asamblistët e komunës së Gjakovës në një seancë të jashtëzakonshme kanë miratuar sot një deklaratë me anë së cilës kërkojnë lirimin e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish – kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër arrestimi të lëshuar nga Serbia.

Në ketë mbledhje të cilën e kryesoi Luan Gola, kryesues dhe me pjesëmarrjen e kryetares së Komunës Mimoza Kusari – Lila, të gjithë kryesuesit e grupeve të asamblistëve të subjekteve politike në Gjakovë, dhanë përkrahje dhe mbështetjeje për Ramush Haradinaj, duke besuar edhe në drejtësinë e shtetit Francez, aprovuar një deklaratë të përbashkët me këtë rast.

Asamblistja nga Vetëvendosje Mimoza Shala tha se arrestimi i Haradinajt nuk ka të bëjë thjesht me një ish-kryeministër apo një lider të një partia por me një ish-komandant të UÇK-së.

“Qyteti i Gjakovës e ka kuptuar mjaftë mirë që nuk ka të bëjë me thjesht një ish kryeministër apo me një lider të një subjekti politik, por ka të bëjë me komandantin e zonës operative të Dukagjinit. Dhe në momentin kur Ramushi ishte komandant i kësaj zone, jo vetëm ne që ju bashkangjitëm në luftë por kishte mbështetjen edhe të krejt qytetit të Gjakovës”, tha Shala.

Ndërkaq Saranda Hyseni nga AAK-ja tha se Haradinaj e meriton një mbështetje të tillë.

“Sado që e dimë që një deklaratë e tillë ka akt moral dhe mbështetës që i dërgohen drejtpërdrejtë zotit Haradinaj por gjithë qytetarëve të tjerë të cilët në vazhdimësi u përballën me raste të tilla. Prandaj një gjë e tillë meriton një mbështetje nga qytetarët e komunës së Gjakovës por edhe nga ne anëtarët e asamblesë që jemi të zgjedhurit e popullit”, tha Hyseni.

Ndërkaq Mahmud Lila nga AKR-ja tha se komuna e Gjakovës është më së shumti e lidhur me Ramush Haradinajn.

“Gjakova ka qenë më së shumti e lidhur me zotin Ramush Haradinaj i cili në realitet të gjithë luftëtarët tonë kanë qenë të lidhur me të dhe kanë qenë nën komandën e tij”, tha Lila.

Asamblistët njëzëri e kanë miratuar deklaratën me pesë pika:

1.Kërkojmë nga organet e drejtësisë Franceze që me procedurë të përshpejtuar të shqyrtojnë rastin Haradinaj gjegjësisht keqpërdorimin e Interpolit nga ana e Serbisë, dhe deri në marrjen e vendimit për refuzimin e kërkesës së një shtetit të tretë që në këtë rast është Serbia që z. Haradinaj të jetë i lirë.

2. Kërkojmë nga Qeveria e republikës së Kosovës që në procesin e dialogut me Serbinë, te vendosë që si pikë prioriteti të jetë heqja e fletarrestim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sepse në të kundërtën kjo cenon sovranitetit e Kosovës.

3. Z. Haradinaj ka dëshmuar me shkuarjen vullnetare në Tribunalin e Hagës në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, i cili Tribunal në dy shkallët e vendosjes e ka konfirmuar pafajësinë për të njëjtat akuza.

4. Gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës, posaçërisht gjatë viteve 1998-1999 e dënuan të gjitha shtetet demokratike të botës dhe e ndëshkuan me intervenimin e aleancës më të fuqishëm të botës NATO-së, ku një ndër shtetet më aktive ishte shtetit i Francës. Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës shteti Francez ishte ndër të paratë që beri njohjen e Kosovës shtete i pavarur dhe Sovran, këtë e vërtetoj edhe Gjykata Ndërkombëtarë e Drejtësisë(GJND).

5. Kuvendi Komunal i Gjakovë , kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që në as një rrethanë të mos nëpërkëmbën vlerat tona kombëtare e që në këtë rast përfaqësues më i denjë i vlerave kombëtare është ish – komandanti i UÇK-së z. Ramush Haradinaj.