Aktuale

​Edhe përkundër tensioneve dhe mosnjohjes, vazhdon rritja e importimit të mallrave serbe në Kosovë

Tensionet e një pas njëshme, gjuha e ashpër politike mes dy shteteve, mosnjohja e pavarësisë së shpallur nga Prishtina zyrtare, janë vetëm disa nga marrëveshjet që sjellin fërkime të ashpra mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër gjitha këtyre problemeve që Beogradi i shkakton Prishtinës, prapëseprapë nuk ka ndikim në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, përkatësisht me të hyrat e mallrave nga Serbia. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Serbia i prinë listës së vendeve me më së shumti import të mallrave. Përllogaritet që brenda një ditë në Kosovë importohen mallra serbe mbi 1 milion euro. Ndërsa në vlera vjetore, vitin që lamë pas ishin importuar mallra në vlerë mbi 389 milionë euro. Në vitin 2016 kishte 4.5 për qind më shumë import se në vitin 2015.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar për KosovaPress se importi i mallrave serbe në Kosovë për çdo vit është rritur. Sipas tij, në vitin 2016 kjo rritje ishte 4.5 për qind më shumë se në vitin 2015. Ai thotë se deri tani, incidentet e fundit mes dyja vendeve, nuk duket që kanë ndikuar në shkëmbimet tregtare.

 

“Gjatë vitit 2015 dhe 2016-të , vlerat e importit prej Serbisë kanë shënuar rritje . Faktikisht në vitin 2015 kemi pasur rreth 370 milion euro për mallrat që i kemi importuar prej Serbisë kurse në vitin 2016 , vitin që lamë pas kjo vlerë është rrit me afër 4.5 për qind dhe është 389 milion euro import prej Serbisë. Përderisa eksportet e Kosovës kanë shënuar një rritje të lehtë. Nëse në vitin 2015 kemi pasur rreth 27 milion euro eksport të mallrave tona në Serbi, në vitin 2016 kjo është rritë në 36 milion euro eksport të mallrave kosovare drejtë Serbisë. Për momentin është një periudhë shumë e shkurtër pas incidenteve të fundit, faktikisht dhe nuk ka pasur ndonjë impakt që është vërejtur në doganën e Kosovës“, tha Stavileci.

Ndërsa qytetarët, përfshirë edhe reagimet e shumta në rrjetet sociale, shprehen të revoltuar dhe kërkojnë që të bojkotohen prodhimet serbe.

Bedri Ahmeti , qytetar nga Prishtina, thotë se duhet të bojkotohen produktet serbe dhe të ndërmerret diçka në favor të prodhimeve vendore.

 

‘’Duhet me i bojkotua, diçka duhet me ndërmarrë edhe kështu nuk shkohet. Ata janë kundër neve, na kurrgjë… Tek e fundit pse jo. Ne jemi shtet duhet me ndërmarr diçka’’, tha Ahmeti.

Mendim të njëjtë ka edhe Hasan Hajzeri, qytetar nga Prishtina. Ai thotë se duhet të ndalet importi i mallrave nga Serbia.

 

‘’Duhet me i bojkotua për me i mbrojt prodhimet tona, se tash dihet kush i përfaqëson këto prodhimet e Serbisë.. Turp është për ne me durua edhe malli serb me hy këtu’’, tha Hajzeri.

Edhe qytetari Osman Zabergja thotë se Kosova duhet të ketë prodhimet e veta dhe të importoj mallra nga vendet tjera e jo nga Serbia.

 

‘’Sigurisht, një herë e përgjithmonë duhet me i diskutua këto punë mos me pas ata gjithmonë mbështetje vetëm ne Kosovë, po edhe Kosova duhet me i pas punët e veta mallin e vet edhe ka mall edhe tjetër kund. Nuk është çështja vetëm në Serbi me ble mall, kemi edhe në Mal të Zi, Maqedoni e sidomos në Shqipëri edhe në shtete perëndimore‘’, tha Zabergja.

Ndryshe, ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha për KosovaPress se rreth 47 milionë euro, janë mjetet që Qeveria i ka mbështetur prodhuesit vendor.

 

“Të dhënat e vitit 2016 tregojnë që ne i kemi mbështetur bizneset për rreth 47 milionë euro. Duke hequr doganën nga lëndë të para në reformën e shtatorit 2015 , duke heq ngarkesën për TVSH për makineritë prodhuese për lëndët e para , duke liruar plot impute. Kjo rritje e të hyrave që ne e kemi parë gjatë vitit 2015-2016 , është rezultat i reformave ekonomike që i kemi ndërmarrë. Tani kemi një listë , tjetër pothuajse përfundimtare të lirimit të imputeve për qëllime prodhimi jo për të nxitur importuesit po për të nxitur prodhuesit vendor . Unë besoj që me këto reforma që po i ndërmarrim , më në Kosovë nuk do të jetë problem për të bërë biznes “, tha Hoti.

Ndryshe importuesit më të mëdhenj në Kosovë, sipas Doganës së Kosovës, janë: në vendin e parë është Serbia, në të dytin Gjermania, dhe pasohen nga Turqia, Kina, Italia dhe Maqedonia. /KosovaPress/