Aktuale

​Deri në orën 15 votuan 29.69 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e dytë të mbajtur sot, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me balotazh për kryetar Komune në Drenas, bënë të ditur se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve që votuan është 15 mijë e 610 votues.

Përkthyer në për qindje numri i votuesve, për tetë orë sa janë hapur qendrat e votimit, i bie të jetë 29.69% nga 52 mijë e 569 votues sa përmban lista përfundimtare e qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se është një rritje e numrit të qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar kësaj të diele, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve në Drenas.

 

“Deri në orën 15 kanë votuar 15 mijë e 610 votues apo 29.69 për qind të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara të raundit të parë me 4 dhjetorë 2016 deri në të njëjtën kohë kanë votuar 14 mijë e 193 votues apo 27 për qind të votuesve. Pra, kemi një rritje të daljes”, tha Daka.

Gjithashtu, Dakaj tha se procesi i votimit deri më tani ka shkuar në rregull dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.

 

“Deri tani procesi i votimit është duke shkuar me rregull dhe nuk kemi ndonjë informatë se kemi ndonjë çështje e cila do ta kishte demtuar imazhin e zgjedhjeve të kësaj dite”, tha Daka.

Kryetarja e KQZ-së tha se votimi me asistencë, në qoftë se kryhet sipas procedurave të përcaktuara me Ligj, nuk paraqet keqpërdorim, ngase asistenca është e lejuar në rastet specifike./KosovaPress/