Aktuale

​Demarkacioni përplas deputetët e VV-së dhe AAK-së

Në mbledhjen e konstituimit të komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, çështja e demarkacionit me Malin e Zi përplasi mes vete deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj dhe deputetin e VV, Dukagjin Gorani.

Ky i fundit duke e përmendur një deklaratë të ministres për Integrime Evropiane, që sipas tij, ka thënë se demarkacioni do të rinegociohet, kërkojë që të pyeten përfaqësuesit e koalicionit në pushtet nëse deklarimet e tilla të ministres janë diçka që mund t’i përkrahin ose jo. Pas kësaj reagoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj duke thënë se demarkacioni do të zgjidhet si është më së miri nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Anëtarja e komisionit nga AAK, Time Kadrijaj, tha se duhet të presin dhe t’i dhënë hapësirë komisionit që është formuar t’i sjellë detajet e demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Përderisa potencoi se komisioni i formuar do të ketë transparencë dhe do të jetë llogaridhënës.

“Haradinaj vendimin e parë e ka marrë shkarkimin e atij komisioni që e kemi kundërshtuar për demarkacionin. Po e dinë, po a dinë, po dua me të plotësuar që e dini edhe ne e dimë. Po shumë në rregull dhe i ka caktuar njerëzit shumë profesionist dhe njerëz që kanë qenë shumë kundërshtues te kësaj forme të demarkacionit. Unë mendoj me rëndësi është me u zgjedh ashtu qysh duhet dhe kufiri me u kthye aty ku ka qenë e nuk është me rëndësi a ri negociohet kjo marrëveshje apo cila është forma që ka me u zgjedh. Ne duhet ti japim hapësirë komisionit që është formuar me i sjell detajet e demarkimit të kësaj vije kufitare, më pas të flasim. Atëherë qeveria është ajo që bashkërisht, unë po mendoj që në këto procese ka me pas transparencë dhe ka me pas llogaridhënie edhe nëse ka me ndodh diçka kanë me u thirre të gjitha grupet parlamentare me e diskutua se cila është forma që me e gjet një zgjidhje”, tha ajo.

Kjo deklaratë bëri që të reagoi anëtari i komisionit nga Vetëvendosja, Dukagjin Gorani, e i cili tha se pas deklaratës së deputetes së AAK se komisioni qenka mbledhur kot. E në këtë rast pati edhe përgjigje nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Kjo po i vije që ne jemi mbledh kot sot. Ne nuk jemi mbledh sot për demarkacionin. Qenkemi mbledhur kot. A na u drejtove partive në pushtet, për ministren në integrim e pata fjalën, për integrim, atëherë a ka diçka të keqe nëse ri negociohet. Profesional të komisionit për demarkacion. Po mirë, ju po lidhni për një deklaratë. Po lidhna për një deklaratë. Nëse ri negociohet a ka diçka të keqe aty. A ka të keqe diçka nëse ri negociohet marrëveshja. Unë po dua me ditë nëse është e vërtet ajo. Po e presim punën e komisionit dhe atëherë e shohim. Unë mendoj që z. Haradinaj do e zgjedh këtë çështje më mirë se të gjithë të tjerët. Ani ju mendoni. Jo, unë po mendoj, po besoj, jo po mendoj por po besoj. Ju e keni të drejtën me besua, unë e kam të drejtën mos me besua. Por, unë besoj, se unë ty nuk të besoj”, thanë ata.

Deputeti i VV, Dukagjin Gorani, tha se deklarata e Ministres së Integrimeve Evropiane ngjallë shumë pyetje dhe do të ishte mirë të kishte më shumë informacione.

“Dje e lexova në media deklaratën e ministres për integrime evropiane e cila pohoj që çështja e demarkacionit ka të ngjarë të mund të ri negociohet me qeverinë e Malit të Zi. Kjo ngjallë shume pyetje edhe besoj që ndoshta kish qenë më mirë me pas informacion më të hollësishëm për këtë dhe më të detajuar me qenë se një pohim i tillë ndërhyn po ashtu në punën e këtij komisioni, e sidomos kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme. Besoj që edhe komisioni për demarkacion duhet ta ketë parasysh një deklaratë të tillë. Tash kish me qenë interesant me pyet edhe përfaqësuesit e koalicionit në pushtet që janë pjesë e këtij komisioni nëse deklarimet e tilla të ministres janë diçka që mund t’i përkrahim ose jo, diçka që mund t’i analizojmë edhe t’i shtrojmë si pyetje pak më të detajuara. Pasi që qasjet e tilla mbi të gjitha po krijojnë huti të madhe e duke qenë se kjo çështje po na bika edhe neve si komision, atëherë së paku duhet ta kemi edhe përgjegjësinë, mirëpo, edhe të kemi kontakt me njerëz të cilët e marrin të drejtën e formës publike rreth kësaj”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, tha se lidhur me këtë çështje ka shumë deklarata kontradiktore. Ndërkohë tha se gjatë muajit dhjetor do të thërrasin në raportim komisionin për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Ne duhet të shqyrtojmë mundësinë që të ftojmë ministrat e këtyre dikastereve dhe të marrim përgjigjen përfundimtare se cila është zgjidhja që ata e ofrojnë. Sepse vetëm me përgjigjet që kanë diskrepancë me njëra tjetrën unë besoj që po krijohet edhe më shumë huti, por edhe më shumë vonesë në zgjidhjen e kësaj çështje. Sa më shumë vonesë siç e dini në plotësimin e këtij kriteri aq më shumë vonesë do të ketë në liberalizimin e vizave”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të konsttituimit të komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike është shqyrtuar plani i punës së këtij komisioni për sesionin vjeshtor.

Ndryshe, ky komision do të ketë 11 anëtarë, ku kryetare e këtij komisioni është Vjosa Osmani nga LDK, zëvendëskryetarja e parë, Time Kadrijaj, zëvendës kryetar i dytë, Dabush Ademi nga 6+, Aida Dërguti nga VV, Visar Ymeri nga VV, Dukagjin Gorani nga LVV, Doruntinë Maloku nga LDK, Elmi Reçica nga PDK, Evgjeni Thaci nga PDK, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, SrdjanMitrovic nga Lista Serbe./kp